Studentët: “UP = Seksizëm”!

Kosova

Studentët: “UP = Seksizëm”!

Më: 26 prill 2015 Në ora: 15:51

Studentët e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, të revoltuar nga publikimi i disa teksteve mësimore, ka ndërmarrë aksionin kundër, siç thonë, seksizmit në UP.

Sipas tyre, ribotimi i librave universitarë që qëllim ka profitin individual të profesorëve, po ndihmon në regresin e Universitetit. Ata cekin librin e Latif Veselit, “Kriminalistika”, ku viktimat e dhunës seksuale fajësohen e gjeneralizohen në femra “mendjelehta, të pakujdesshme e të përdala”. Ata kërkojnë heqjen e këtij libri nga tregu, e jo ribotimin me të njëjtën përmbajtje. “Seksizmi në Universitetin e Prishtinës po ‘mirëmbahet’ nga ombrella e ‘akademikëve’ që nuk i janë shkëputur shovinizmit. Neoliberalizmi që po mban në këmbë institucionin, po shërben si fole që po ngroh egot e shuara të intelektualëve. ‘Blema librin ndaq me kalu’; ‘Like statusin në Facebook ndaq me ta rritë notën!’, janë disa prej kërkesave të një profesori. Me këtë aksion duhet të vije në shprehje izolimi dhe tkurrja e ekzistencës së gruas... Insistimi që gjinia nuk është aq e rëndësishme për një popull, ku gruaja maltretohet, etiketohet, shkëputet nga mundësia për të qenë në udhëheqje, janë vazhdimësi e tmerrit radikal patriarkal që po ndihmohet nga këta njerëz në krye të sistemit edukativ”, thuhet në një kumtesë të tyre.Ky grup, që nuk identifikohet po që thonë se janë të vetë-organizuar, thonë se nëse nuk do merren masa në zhvillimin e hapave nga Këshilli Botues për rishikimin e teksteve, rishikimin e kualifikimeve të profesorëve që ligjërojnë tema specifike, “ne si studentë do vazhdojmë t’i bëjmë rezistencë këtij sistemi të ligë”.Ky aksion është kryer nga studentë të Fakultetit Filozofik. Ftojmë të gjithë studentët tjerë në rezistencë. Nuk jemi optimistë për organizatat studentore që funksionojnë përbrenda fakultetit, meqë indoktrinimi i tyre partiak është toksik për zhvillimin e mirëfilltë të arsimit. Mos prisni prej të tjerëve. Merrni situatën në duar. Veproni”!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat