Nxënësit e Luginës do mësojë me tekste shqip nga Kosova

Kosova

Nxënësit e Luginës do mësojë me tekste shqip nga Kosova

Më: 26 prill 2015 Në ora: 08:23

Nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës vitin shkollor 2015-2016, do ta fillojnë me tekstet shqip që do t’u dërgohen nga Kosova.

Kështu thonë zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, të cilët bëjnë të ditur se tashmë është proceduar kërkesa për tekstet shkollore të Luginës, duke shpresuar që këtë vit nuk do të ketë probleme nga ana e autoriteteve serbe, ashtu siç ka ndodhur vitet e kaluara. Ndërkohë, nxënësit atje, vazhdojnë të mësojnë me tekste të viteve ’70-ta.

Lugina e Preshevës ende vazhdon të ketë probleme sa i përket teksteve shkollore në gjuhën shqipe. Edhe pse Ministria e Arsimit e Kosovës, disa herë ka siguruar tekste për nxënësit shqiptarë atje, ato janë konfiskuar nga autoritetet serbe. Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Jonuz Musliu, ka kërkuar nga Kosova dhe Shqipëria, që të ndihmojnë Luginën me tekste shkollore.

“Situata është e vështirë, kur dihet që nxënësit e Luginë së Preshevës, sidomos ata të shkollave të mesme mësojnë me literaturë të viteve ’74. Ne jemi shumë prapa. Sa i përket shkollimit fillor, diku rreth 40 për qind janë përkthyer tekstet mësimore, por jo në mënyrë profesionale.”

Ndërkohë, Ministria e Arsimit e Kosovës ka proceduar kërkesën për tekstet shkollore të Luginës së Preshevës. Azem Guri, këshilltar i ministrit Arsim Bajrami, tha për Radio Kosovën, se kërkesa ka qenë për tekstet bazike si Abetarja dhe Libri i leximit.

“Sipas planit dinamik të MASHT-it, konsiderojmë se viti shkollor 2015 -2016 Luginën e Preshevës do ta gjejë me tekste. Nuk mund të flas me shifra se sa ka qenë kërkesa, por ne do ta përmbushim këtë kërkesë. Qeveria e Kosovës është duke u kujdesur që këtë vit librat të përfundojnë në duart e nxënësve shqiptarë, e jo të konfiskohen siç ka ndodhur më parë.

Guri tha se Ministria është interesuar që këtë vit kjo çështje të zbatohet në mënyrë institucionale. Mungesa e teksteve shkollore dhe moslejimi i përdorimit të teksteve nga Kosova paraqesin problem serioz për nxënësit e të gjitha niveleve në Luginë të Preshevës. Pesë mijë tekste shkollore në gjuhën shqipe, të dërguara nga Kosova, ende mbahen të konfiskuara nga Policia e Serbisë. Ditë më parë komisionet e arsimit të Kosovës dhe Shqipërisë propozuan ngritjen e një nënkomisioni të përbashkët për çështjen e teksteve në Luginën e Preshevës, në mënyrë që të bëhet pjesë e agjendave të qeverive përkatëse.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat