Deputetja Deliu-Kodra në Beograd: Njiheni Kosovën, përshëndetuni me të kaluarën!

Kosova

Deputetja Deliu-Kodra në Beograd: Njiheni Kosovën, përshëndetuni me të kaluarën!

Më: 25 prill 2015 Në ora: 23:15

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se shteti i Kosovës është një realitet i pakthyeshëm.

Këtë deklaratë ajo e ka dhënë të shtunën në Beograd, ku së bashku me disa deputetë tjerë kanë marrë pjesë në takimin ndërmjet delegacionit të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe atyre të Serbisë, organizuar nga “Këshilli për Qeverisje Gjithëpërfshirëse”.

“Shteti i Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe sa më shpejt që të njihni këtë realitet, aq më lehtë do ta keni për t’u përshëndetur me politikat e së kaluarës, dhe me ecjen para drejt rrugëtimit të përbashkët si dy shtete fqinje”, ka thënë ajo gjatë fjalës së saj.

Duke folur për refuzimin që i bëri Serbia, vizitës së ministrit të Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi në Beograd, deputetja e Kuvendit të Kosovës, ka bërë me dije se ende politikat e refuzimit dhe të mohimit janë akoma të pandryshueshme, dhe të ngjashme me ato të kohërave të vjetra.

“Edhe refuzimi nga ana e Beogradit zyrtar për zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi në Beograd, duke u thirrur gjoja në një fletarrest të vitit 1997, paraqet po atë filozofi të ‘97-s çka i kontribuon edhe më tej jostabilitetit dhe normalizimit”, ka deklaruar Deliu-Kodra.

“Kosova, vendi im, ka bëre hapa konkretë, seriozë dhe të përkushtuar institucional karshi proceseve integruese të komuniteteve pakicë por edhe në raport me vizitat dhe pritjet e delegacioneve serbe në Kosovë derisa veprimet e juaja janë në kundërshtim me parimet e normalizimit dhe prosperimit të marrëdhënieve ndërshtetërore dhe perspektivave Evropiane”, ka përfunduar Deliu-Kodra.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat