Gagica reagon ndaj Klosit: Bartësve të kësaj fryme armiqësore duhet thënë mjaft më..!?

Kosova

Gagica reagon ndaj Klosit: Bartësve të kësaj fryme armiqësore duhet thënë mjaft më..!?

Më: 25 prill 2015 Në ora: 21:57

Ish Kryetari i LDK-së në diasporë në vitet 90 dhe deri në përfundim të luftës së Kosovës si dhe njëri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Ibrahim Rugovës në diasporë, Hafiz Gagica, i cili është edhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së ka reaguar ndaj deklaratave të ish shefit të SHISH-it Fatos Klosit.
Gagica kërkon nga shteti dhe qeveria shqiptare që të procedojë të gjitha dosjet rreth vrasjeve të ushtarakëve shqiptarë në Tiranë dhe sidomos rastin e Ahmet Krasniqit.

Në vijim postimi i Hafiz Gagicës:

Luftës speciale brenda faktorit politik shqiptar i ka kontribue vetë Fatos Klosi, ish-shefi i SHISH’it, i cili në intervistën të “Komiteti” që e transmetoi RTK-ja, veç tjerash ka deklaruar “se politika e Ibrahim Rugovës ishte e pa krye..”!?
Prandaj bartësve të kësaj fryme armiqësore, nxitëse të vëllavrasjeve dhe shumë denigruese për kombin, duhet thënë mjaft më..!?
Është për t’u përshëndetur reagimi i kryetarit të LDK-së, Isa Mustafës ndaj Fatos Klosit. Por Mustafa edhe kohë më parë deklaratat i kishte të “fuqishme” kundër shërbimeve të tilla sekrete. Bile duke i sulmuar këto shërbime ai mori kreun e LDK-së. Dhe pas zgjedhjeve të fundit pranoi të bashkëpunojë me të njëjtat! Apo nuk flet fakti që sot si Kryeministër ai koordinon dhe punon ngushtë në punët e qeverisë me shërbime të tilla. Prandaj ne duhet të kemi kujdes nga deklaratat e mëdha që në vete nuk bartin përgjegjësi të duhur politike dhe kombëtare.
Fatos Klosi dhe bashkëpunëtorët e tij ka vite që e fyejnë një popull të tërë, kur dihet që shumica absolute e shqiptarëve të Kosovës si dhe nga hapësirat tjera shqiptare ishin mbështetës të fuqishëm të politikës së presidentit Ibrahim Rugova për liri dhe pavarësi të Kosovës. Prandaj bartësve të kësaj fryme armiqësore, nxitëse të vëllavrasjeve dhe shumë denigruese për kombin, duhet thënë mjaft më..!
Fatos Klosi duhet të flet për vrasjet në Shqipëri dhe jashtë saj si dhe nxitjet e tij për vëllavrasje edhe në Perëndim, ndaj unë si bashkëpunëtor i afërt i Ibrahim Rugovës, distancohem fuqishëm nga deklaratat e Klosit, i cili jo rrallëherë ka dëshmuar se është i njëanshëm dhe nxitës i vëllavrasjeve siç kanë bërë edhe vartësit e tij në Kosovë dhe gjithandej nëpër Evropë..!?
Shteti dhe Qeveria shqiptare duhet t’i hap dosjet që një ditë i tërë kombi t’i mësojë të vërtetat për vrasjet politike në Shqipëri dhe Kosovë, duke e përfshirë atë të Kolonel Ahmet Krasniqit, i cili u vra në mes të Tiranës.
Mendoj se është koha e fundit që të ndërpriten zërat e tilla nxitës për vëllavrasje, mbase populli shqiptar e dinë mirë se kush ishte lideri Ibrahim Rugova dhe se nuk ka nevojë të dëgjojë (populli) histori shpifëse nga shefat e shërbimeve informative që janë edukue në frymën diferencuese dhe shpifëse, për shkakun e vetëm se ndonjëri ka mendue ndryshe. Madje, ç’është edhe më keq të tillët ishin dje pengues të procesit për bashkimin e kombit shqiptar dhe as Klosi dhe kushdo qoftë që provon me e përça atë, kombi ynë nuk do bie pre e provokimeve të tilla përçarëse..!?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat