​Kërkohet që në listat e dëshmorëve të përfshihen edhe ata të para vitit ‘98

Kosova

​Kërkohet që në listat e dëshmorëve të përfshihen edhe ata të para vitit ‘98

Më: 25 prill 2015 Në ora: 16:56

Edhe pash 16 vitesh të çlirimit të Kosovës, Qeveria e Kosovës ende nuk ka ndërmarr ndonjë vendim për dëshmorët e rënë para Luftës Çlirimtare të UÇK-së.

Kështu u tha sot në një takim të mbajtur nga anëtarët e Komisionit të Familjeve të Dëshmorëve.

Pjesëmarrës ishin familjarët e dëshmorëve, të cilët kërkuan që të ju njihet statusi i dëshmorëve të afërmve të tyre dhe të mos bëhen dallime mes dëshmorësh, pa marr parasysh kohën kur ata janë flijuar për këtë vend.

Anëtari i këtij komisioni dhe vëllai i dëshmorit Ismet Krasniqi, Bajram Krasniqi, tha se qëllimi i këtij takimi është që të bindin institucionet e vendit për përfshirjen në listat e dëshmorëve, edhe dëshmorët e rënë para luftës së UÇK-së.

Krasniqi: Kërkojmë përfshirjen e dëshmorëve të rënë para luftës, në listën e dëshmorëve

“Qëllimi i takimit që ju kemi kërkuar për sot është që të kërkojmë përfshirjen e dëshmorëve të kombit, të cilët kanë ra para luftës çlirimtare të Kosovës, do të thotë prej vitit 90 e përpara, 80, 70 e vitet e 60ta… Ne jemi marr vesh ti shtrojmë kërkesat në mënyrë institucionale, para organeve të cilat kanë dal nga vota e popullit. Mirëpo duke pasur parasysh që ata që janë zgjedhur nga vota e popullit, I kanë lënë anash këta dëshmorë, kanë bërë padrejtësi të madhe dhe me vetëdije apo pa vetëdije ata kanë shkelur mbi gjakun e dëshmorëve, prandaj neve na ra barra në mënyrë vullnetare pa prituar aspak por duke kërkuar edhe ndihmën, përkrahjen e institucioneve tjera që na përkrahin, në mënyrë që kërkesa jonë e vetme është që atyre të ju njihet statusi i dëshmorit të kombit, sepse kanë qenë pararënësit e kryengritjes të armatosur të UÇK-së”, tha Krasniqi.

Edhe kryetari i këtij komisioni, Naim Zhitia, vëllai i dëshmorit Afrim Zhitia, tha se Parlamenti i Kosovës është duke e shkelur ligjin me përjashtimin e kësaj kategorie nga listat e dëshmorëve të kombit.

Ai tha se familjarët e dëshmorëve nuk do të lejojnë asnjëherë që organet e vendit të përqeshin gjakun e dëshmorëve.

Zhitia: Nuk do të lejojmë përqeshjen e gjakut të dëshmorëve.

“Pas këtij organizimi që është bërë, Parlamenti i Kosovës, Komisioni Parlamentar, ligjin të cilin e ka Qeveria, i cili është duke e përjashtuar këtë kategori, janë duke e shkelur këtë ligj. Andaj ne duhet ta ngrisim zërin akoma më shumë, duhet të bashkohemi akoma më shumë që këtë çështje ta zgjedhim njëherë e përgjithmonë”, tha Zhitia.

Të pakënaqur me këtë gjendje u shprehën edhe familjarë të tjerë, në mesin e tyre edhe babai i dëshmorit Fadil Talla, Nazim Talla, i cili kërkoi që të mos ndalen gjerë në përfshirjen e të gjithë dëshmorëve në këto lista.

Përfaqësuesit e këtij komisioni thanë që në rast mos përfshirje të këtyre dëshmorëve në listat e dëshmorëve të kombit, ata do ndërmarrin aksione simbolike para Qeverisë së Kosovës./KP

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat