Gërxhaliu: Derisa s’ka sundim të rendit dhe ligjit, zhvillim ekonomik nuk do të ketë

Kosova

Gërxhaliu: Derisa s’ka sundim të rendit dhe ligjit, zhvillim ekonomik nuk do të ketë

Nga: Intervistoi: Nehat SHAQIRI Më: 25 prill 2015 Në ora: 15:00

“Ne bëjmë analiza të shumta lidhur me ambientin biznesor në Kosovë, bëjmë identifikim të barrierave për biznese, qoftë për biznese vendore, qoftë për ato të huaja, por emëruesi i përbashkët i eliminimit të të gjitha këtyre problemeve është sundimi i rendit dhe ligjit. Derisa nuk do të kemi sundim të rendit dhe ligjit ne do të flasim për ekonomi, por zhvillim ekonomik nuk do të ketë”, thotë në një intervistë për gazetën “Bota sot”, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.

“Bota sot”: Çfarë rekomandime ka dhënë Oda Ekonomike dhe sa mundet me qenë i qëndrueshëm programi qeveritar për zhvillim ekonomik?

Gërxhaliu: Po është e vërtet se ne si Odë Ekonomike e kemi analizuar me vëmendje programin qeveritar dhe në aspektin ekonomik ku janë të përfshira 37 faqe të shkruara janë të përfshira shumë rekomandime të cilat kanë shkuar nga Oda Ekonomike e Kosovës. Rekomandime të cilat janë pranuar dhe të cilat e kanë sjellë një dozë të optimizmit të sektori privat se më në fund ekonomia do të jetë prioritet i prioriteteve dhe vërejtjet dhe rekomandimet e sektorit privat duhet të merren parasysh.

“Bota sot”: Viti që lëmë pas ishte njëri ndër vitet më të vështira në aspektin ekonomik. Si do të mund të rehabilitohen gjatë këtij viti të gjitha këto ngecje që ishin shënuar në vitin 2014?

Gërxhaliu: Duhet të kuptohet që bazuar në pakon që në vitin 2014 kemi pasur një stërngarkim të problemeve dhe nga vet akti që kemi pasur një vakum institucional vërtet ekonomia ka mbet në rend të dytë dhe nuk ka qenë si duket prioritet në agjendën institucionale.

Por, tash është koha që duhet për ekonomi të bëhet më tepër, sepse nëqoftëse nuk do të ketë zhvillim ekonomik, është otopike të mendohet stabiliteti politik, është opotipke të mendohet stabiliteti social, por mbi të gjitha është otopike të mendohet përshpejtimi i proceseve integruese dhe përmirësimi i imazhit të Kosovës, prandaj po e shihni se sa e rëndësishme qenka dhe duhet fokusuar më tepër në zhvillim ekonomik.

“Bota sot”: Si e shihni ju eksodin drejt Evropës?

Gërxhaliu: Krejt kësaj që thashë më lartë, ti shtohet edhe fakti, se si pasoj e moszhvillimit ekonomik, fundi i viti 2014 dhe fillimi i vitit 2015, karakterizohet me një fluks, ose me një eksod të popullatës së Kosovës karshi Evropës, atëherë është edhe një obligim moral shtesë që për ekonomi të bëhet më tepër, pasi rastet më të shumta të migrimit kanë të bëjnë me aspekt social dhe ekonomik dhe e tëra kjo duhet të jetë një ngarkesë ose një obligim shtesë për institucionet që për të gjithë në Kosovë, akterët relevant të bëjnë më shumë për zhvillim ekonomik.

“Bota sot”: Sa jeni të kënaqur për momentin me zhvillimin ekonomik?

Gërxhaliu: Se ku jemi për momentin nuk kemi arsye të jemi të kënaqur. Është koha kur duhet që ky plan të paraqitet dhe të kalohet në Parlament dhe është koha që këto rekomandime të merren parasysh dhe të orientoht drejt sektorit privat, drejt forcimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, drejt fuqizimit të sektorit prodhues, nëqoftëse mendohet se vërtet punësimi të jetë i lidhur dhe në mënyrë drejt për drejt i ndërlidhur me proceset ekonomike.

Është një periudhë kohore e cila me të vërtet duhet të analizohet më vëmendje, nuk duhet të bëhet presion dhe të kundërshtohet gjithmonë plani qeveritar, por duhet të bëhet presion në qeveri dhe në institucione që të implementohet dhe të zbatohet ky program qeveritar, se vetëm atëherë mund të ketë vërtet prosperitet.

Dhe në fund duhet të jemi të qartë, se bëjmë analiza të shumta lidhur me ambientin biznesor në Kosovë, bëjmë identifikim të barrierave për biznese, qoftë për biznese vendore, qoftë për ato të huaja, por emëruesi i përbashkët i eliminimit të të gjitha këtyre problemeve është sundimi i rendit dhe ligjit. Derisa nuk do të kemi sundim të rendit dhe ligjit ne do të flasim për ekonomi, por zhvillim ekonomik nuk do të ketë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat