Të thyhet miti, FSK-ja të zbarkojë edhe në veri!

Kosova

Të thyhet miti, FSK-ja të zbarkojë edhe në veri!

Më: 25 prill 2015 Në ora: 11:01

Në marrëveshjet e Prishtinës dhe Beogradit, Kosova ka pranuar vetë që trupat e FSK-së, nuk do të zbarkohen në veri të Kosovës, pa lejen paraprake të NATO-s, kanë theksuar zyrtarët e kësaj organizate ndërkombëtare.

“Në kontekstin e marrëveshjes mes Prishtinës dhe Beogradit, të ndihmuar nga BE-ja, në prill të 2013, Prishtina zyrtarisht ka pranuar që nuk do të zbarkojë trupat e FSK-së në veri, pa lejen e KFOR-it”, ka theksuar Zyra për informim e NATO-s.

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa pati deklaruar se Forca e Armatosur e Kosovës do të ketë qasje të limituar në veri, zyrtarë të NATO-s, nuk kanë dashur të komentojnë shumë rreth kësaj çështje.

Kjo zyrë, ka demantuar edhe deklaratat e zyrtarëve serb se ekziston një marrëveshje mes NATO-s dhe Serbisë, se trupat e FSK-së, e në të ardhmen edhe Forcat e Armatosura, nuk kanë të drejtë të zbarkohen në komunat veriore.

Por, “kundër” fjalës së kryeministrit Mustafa, kishte deklaruar komandanti Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama. Ai ka thënë FSK-ja nuk merr leje nga NATO për të shkuar në veri dhe se Ushtria e Kosovës do të veprojë aty ku kërkohet nevoja.

Driton Çaushi, nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje për gazetën “Bota sot” thotë se, neni 126 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës thotë:
1. Forca e Sigurisë së Kosovës është forcë kombëtare e sigurisë për Republikën e Kosovës, dhe mund të dërgojë pjesëtarët e saj jashtë vendit në përputhje të plotë me përgjegjësitë e saj ndërkombëtare.
2. Forca e Sigurisë së Kosovës mbron qytetarët dhe komunitetet e Republikës së Kosovës në bazë të kompetencave të përcaktuara me ligj.
Andaj, sipas tij, si mund të jetë forcë kombëtare e sigurisë, përderisa në pjesën veriore të Kosovës përveç që nuk ka baza të FSK-së, nuk ka as edhe një ushtar të vetëm. “Kjo nuk është rastësi, por është pasojë e politikave qeveritare përmes negociatave kronike me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës, duke e lënë kështu si të mirëqenë mungesën e sovranitetit të Republikës së Kosovës në atë pjesë të vendit” thekson ai.

Ai pohon se, Qeveria e kaluar e Kosovës është përgjegjësja direkte për këtë situatë, e qeveria e tashme, në vend se ta përmirësojë, ka shkuar tutje duke thënë se as Forcat e Armatosura të Kosovës nuk do të jenë prezente në atë pjesë. “Këtë deklaratë e ka dhënë Kryeministri Mustafa më 1 prill, duke ia pamundësuar ushtrisë së ardhshme të Kosovës prezencën në veri, ende pa u themeluar ajo. Pra, si FSK-së, ashtu edhe Forcave të Armatosura të Kosovës, i pamundësohet mbrojtja e integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit. Minimi që i është bërë Republikës së Kosovës përmes negociatave të vazhdueshme me Serbinë, tash veç i ka nisur shpërthimet e para”, thotë Çaushi.

Ndërsa, analisti politik, Blerim Burjani thekson se, kjo është fazë kalimtare sa i përket problemit të bërë artificial në veri dhe kjo gjendje atje është imponuar nga mosgatishmëria edhe vendore edhe ndërkombëtare mbi të gjitha për të zgjidhur problemin atje.

“Tash bëhet përpjekje të krijohet një surrogat juridik rreth statusit juridik. Veriu është lënë në këtë gjendje si mollë sherri brenda Kosovës, duket se ka pas strategji për këtë çka po ndodh në veri që nga pas lufta. Siguria në veri garantohet nga KFOR, njëjtë si në tërë Kosovën, mirëpo një ditë edhe FSK apo FAK së bashku me KFOR mund të patrulloj në veri.

Kjo do të ndodhë në periudhën e stabilitetit atje, strategjia e deri tash për veriun ka sjell bisedime politike për tre fshatra të Kosovës, këto pra janë komuna të vogla, që kanë lanë portën e hapur që Serbia të ketë qasje brenda territorit të Kosovës, kjo ishte strategji që zyrtarët serb të vijnë kur të donë në Kosovë pra në atë pjesë të vendit tonë”, thekson Blerim Burjani për gazetën “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat