Ura e Ibrit, fillimi dhe fundi i pushtetit!

Kosova

Ura e Ibrit, fillimi dhe fundi i pushtetit!

Më: 24 prill 2015 Në ora: 14:09

Ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tani ministër i Punëve të Jashtme dhe zëvendëskryeministër, ditë më parë, ka theksuar se me arritjen e marrëveshjes, siç e quajti ai historike, në Bruksel siguruan zhbërjen e strukturave paralele.

Deklarata të tilla kemi edhe nga zyrtarë të tjerë qeveritarë. Por, ndryshe nga ta mendojnë analistët dhe njohësit e çështjeve të sigurisë. Ata thonë se kjo është vetëm një “propagandë e shtetit” dhe se strukturat paralele vazhdojnë të ekzistojnë në veri, madje me kapacitet edhe më të madh, pasi ato tani veprojnë edhe jashtë e edhe brenda institucioneve të Kosovës.

Kështu, “Parku i Paqes” i vendosur mbi urën e lumit Ibër vazhdon të e ndaj qytetin e Mitrovicës në dy pjesë. Pra, aty është kufiri ku pushteti i Kosovës përfundon, për të vazhduar me pushtetin serb në veri edhe pse ditë më parë u shënua dyvjetori i Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Kjo marrëveshje e nënshkruar nga ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, atëherë dhe sot po quhet marrëveshje historike, që shtrinë sovranitetin e Republikës së Kosovës në gjithë territorin e saj, ndonëse ngecjet në zbatimin e saj janë më shumë evidente në veri të Mitrovicës.

Dy vjet pas kësaj marrëveshje, Mitrovica vazhdon të jetë e ndarë, veriu i Kosovës, pa qasje të pushtetit të Kosovës dhe, sipas njohësve të rrethanave shoqërore e politike në vend, ndryshimi gati i vetëm është nga ura që ndanë Mitrovicën u hoq barrikada shumëvjeçare, e cila u zëvendësua me një tjetër që për ironi quhet “Parku i paqes”. Aty menjëherë pas lufte ishte vu një kufi artificial ku përfundonte pushteti i Kosovës, aty edhe sot është ai kufi ku po lëshon rrënjë “Parku i Paqes”.

Njohës të çështjeve të sigurisë përmendin problemet me të cilat po përballën banorët e Mitrovicës së veriut, vend në të cilin vazhdojnë të funksionojnë strukturat paralele sado që zyrtarët shtetërorë po thonë se ato janë zhbë me marrëveshjen e arritur në Bruksel.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Naim Maloku, ka thënë se gjendja në veri vazhdon të mbetet e njëjtë si para dy viteve dhe se politika e Serbisë është e interesuar që ta mbajë sa më gjatë këtë problem dhe me këtë ta mbajë penge edhe sovranitetin e Kosovës. “Grupet dhe klanet e ndryshme merren me kontrabandë dhe janë të instaluara qe 17 vite në veri. Ato janë të interesuara që për interesa të veta materiale ta mbajnë gjendjen ashtu si është në veri. Ndonëse atje ka njerëz të veshur me uniformë të pushtetit të Kosovës, nuk përjashtohet mundësia të jenë të lidhur me tregtinë e paligjshme edhe me njerëz tjerë të pushtetit qendror të Kosovës. Ndryshe si mund të shpjegohet se pak kontroll ka nafta dhe tjerë artikuj që kontrabandohen në veri. Herë pas here ndërmerret ndonjë aksion sa për t’i hedhur hi syve popullit, kinse po ndërmerren aksione”, thotë Maloku.

Ai mendon se edhe në ekipin e dialogut Kosovë – Serbi nga pala kosovare ka njerëz që janë të interesuar ta zgjasin këtë dialog sa më shumë vetëm për përfitime materiale, udhëtime e mëditje. “Dialogu nuk ka afatizime. Qe dy vite është nënshkruar marrëveshja dhe pak lëvizje ka në atë drejtim. Kosova nuk ka dhe nuk ka pasur vullnet që në fillim që të bëjë përcaktim të vijave të qarta kohore deri kur cila çështje dhe në cilin afat të përfundojnë”, thekson ai duke shtuar se zhbërja e strukturave udhëheqëse serbe në Kosovë, që ne po i quajmë struktura paralele, është vetëm “një propagandë e përdorur nga shteti sa për të thënë se kanë bërë diçka, por se nuk ka asgjë konkrete”.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka theksuar se strukturat ilegale veç sa janë institucionalizuar më shumë edhe nga ana e Qeverisë së Kosovës. “Marrëveshja e Brukselit, ajo e vërteta që është nënshkruar është duke u zbatuar në praktikë. Nuk duhet harruar opinioni publik në Kosove se ne kemi retorikë politike, e cila nga realiteti i marrëveshjes ndryshon. Deri më tani strukturat paralele që i quajnë, janë duke krye procesin e riintegrimit në arkitekturën e sigurisë të Kosovës. Këtë e dëshmon edhe shtimi i policëve të MUP-it në kuadër të Policisë së Kosovës. Tani në procesin e fundit do të kemi edhe futjen e të ashtuquajturës mbrojtje civile në kuadër të strukturave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës”, thotë Shala.

Sipas tij, këto zhvillime në aspektin politik janë proces që çdo gjë po shkon në rregull me marrëveshje, por në “aspektin e sigurisë është një rrezik permanent që i kanoset sigurisë nacionale të Kosovës”. “Shpresojmë që organet ekzekutive që të jenë syçelur në integrim të këtyre strukturave në kuadër të strukturave të tyre, sidomos në aspektin që disa persona që kanë lidhje me strukturat me karakter informativ (Agjenturat e inteligjencës serbe) të mos kanë mundësi të futen aty”, thotë Shala. Bota sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat