Policia e Kosovës përgënjeshtron ministrin maqedonas

Kosova

Policia e Kosovës përgënjeshtron ministrin maqedonas

Më: 24 prill 2015 Në ora: 12:48

Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media, ka demantuar Ministrinë e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, pasi ky i fundit kishte thënë se janë parë persona në brezin kufitar.

“Referuar deklaratës së djeshme të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) të Maqedonisë, se një grup prej pesëdhjetë (50) personave kanë hyrë në Maqedoni, respektivisht në fshatin Saraj të Shkupit, për hir të njoftimit të opinionit Policia e Kosovës informon se dje (23.4.2015) rreth orës 16:53, Policia e Maqedonisë ka njoftuar Policinë e Kosovës se vërehen persona të grumbulluar në brezin kufitar, respektivisht në lokacionin Krivenik (RKS)–Radush (MK) dhe me verifikimin e menjëhershëm të informacionit është konstatuar se nuk ka asnjë grumbullim apo individ në lokacionin e lartcekur dhe as në tërë zonën e brezit kufitar me Maqedoninë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Zyra e medieve e Policisë, ka sqaruar se Njësitet e Policisë Kufitare në detyra të rregullta gjatë brezit kufitar nuk kanë hasur në asnjë grumbullim të pretenduar nga pala maqedonase dhe po ashtu një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga njësitet e Policisë Kufitare të Maqedonisë, të cilat sipas planit të përbashkët të patrullimit, dje kanë qenë së bashku me njësitet e Policisë Kufitare të Policisë së Kosovës në patrullim sipas konceptit të Menaxhimit të Integruar të Kufirit.

“Po ashtu krahas këtyre aktiviteteve të përbashkëta me palën maqedonase, në mbikëqyrjen e brezit kufitar Policia e Kosovës shfrytëzon edhe kullat vrojtuese të cilat mundësojnë monitorimin dhe vëzhgimin e hapësirës së madhe të brezit kufitar nga të dy anët, duke shfrytëzuar edhe teknologjinë e avancuar e që deri më tani nuk është detektuar asnjë lëvizje e dyshimtë. Me qëllim të informimit të opinionit të gjerë, bëjmë me dije se Policia e Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme për të përmbushur detyrat e saja ligjore dhe kushtetuese në raport me mbrojtjen e sigurt të kufirit të Republikës së Kosovës dhe moscenimit të tij nga askush. Policia e Kosovës është e gatshme për bashkëpunim me agjensionet e shteteve fqinje, duke përfshirë edhe Maqedoninë, për t’u siguruar se kemi një mbikëqyrje të mirëfilltë dhe të sigurt sipas konceptit të Menaxhimit të Integruar të Kufirit”, përfundon komunikata.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat