Kryetari Veseli vizitoi Mamushën dhe Krushën e Madhe

Kosova

Kryetari Veseli vizitoi Mamushën dhe Krushën e Madhe

Më: 23 prill 2015 Në ora: 23:34

Gjatë takimeve me fermerët dhe drejtuesit e ndërmarrjeve prodhuese, kryetari i Kuvendit të Kosovës garantoi vazhdimin dhe zgjerimin e përkrahjes së institucioneve të Kosovës për prodhuesit vendorë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, ka zhvilluar sot një vizitë në Komunën e Mamushës, gjatë të cilës është pritur nga kryetari i saj, Arif Bytyq dhe drejtuesit e tjerë komunalë, ndërsa më pas ka vizituar disa plantacione bujqësore.

Kryetari Veseli ka uruar kryetarin Bytyq dhe të gjithë komunitetin që ai përfaqëson për festën e 23 prillit – Ditës së turqve, duke e konsideruar komunitetin turk një kontribuues të fuqishëm të ruajtjes së tolerancës e të harmonisë ndëretnike në Kosovë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës çmoi lart iniciativat dhe angazhimet e qytetarëve të Mamushës për kultivimin e kulturave bujqësore dhe zgjerimin e tyre në vazhdimësi, ndërsa garantoi mbështetjen e mëtejme të institucioneve të Kosovës për rritjen e prodhimit vendor dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Kryetari i Mamushës, Bytyq, duke e konsideruar me simbolikë dhe rëndësi të veçantë vizitën e kryeparlamentarit Veseli në komunën e tyre, pikërisht në ditën kombëtare të turqve, garantoi angazhimin maksimal të këtij komuniteti për të rritur në vazhdimësi kapacitetet e prodhimit bujqësor, duke u bërë kështu kontribuues i zhvillimit më të shpejtë ekonomik të vendit. Kryetari Bytyq bëri të ditur se aktualisht serat bujqësore në këtë komunë mbulojnë rreth 220 hektarë, ndërsa prodhimi vjetor i domates, si kulturë kryesore bujqësore e qytetarëve të kësaj komune, arrin në 8 milionë kilogramë.

Në takim ishte i pranishëm edhe nënkryetari i Komunës së Bursës në Turqi, Abdylkadir Karluk.

Në mjediset e komunës, kryetari Veseli ka zhvilluar një takim të veçantë edhe me qytetarë të këtij lokaliteti.

I shoqëruar nga ministri Krasniqi, kryetari Veseli ka vizituar disa plantacione bujqësore, të ngritura me përkrahjen e institucioneve të Kosovës, si dhe ka takuar pronarët e tyre. Z. Veseli përgëzoi fermerët mamushas për punën e tyre dhe njëherësh inkurajoi ata që të vazhdojnë me zgjerimin e plantacioneve dhe të prodhimit.

Ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, ndërkaq, garantoi vazhdimin e mbështetjes nga ministria që ai udhëheq dhe rritjen e saj në vazhdimësi në të ardhmen.

Po sot, kryetari i Kuvendit të Kosovës, i shoqëruar nga ministri Krasniqi dhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, zhvilloi një vizitë edhe në Kooperativën Bujqësore të Grave “Krusha” në Krushë të Madhe të Rahovecit.

Drejtoresha e kooperativës, Fahrie Hoti, njoftoi kryetarin Veseli dhe ministrin Krasniqi me kapacitetet prodhuese të kësaj ndërmarrjeje, eksportin e produkteve bujqësore dhe kërkesat për rritjen e prodhimit.

Kryetari Veseli, ndërkaq, i konsideroi 25 punëtoret e kësaj kooperative, shembull të ndërmarrësisë në Kosovë dhe më gjerë, të cilat, kanë arritur që dhembjen nga humbja e më të dashurve të tyre gjatë luftës, ta kthejnë në punë dhe prodhim, në të mirë të familjeve të tyre e të qytetarëve të Kosovës në përgjithësi. Kryetari i Kuvendit garantoi mbështetjen e vazhdueshme të institucioneve të Kosovës për këtë ndërmarrje dhe për prodhuesit vendorë në përgjithësi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat