Zhbogar: Themelimi i Gjykatës Speciale nuk mund të ndalet

Kosova

Zhbogar: Themelimi i Gjykatës Speciale nuk mund të ndalet

Më: 21 prill 2015 Në ora: 12:31

Gjykata Speciale do të themelohet, qoftë përmes Kuvendit të Kosovës apo Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Këtë porosi e la sot Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, në një konferencë rreth themelimit të kësaj gjykate e cila si qëllim të vetëm e ka hetimin dhe gjykimin e dyshimeve për krime të kryera nga ish Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).

“Sa po dëgjoj nga miqtë, themelimi i Gjykatës Speciale nuk mund të ndalohet... Mos themelimi i gjykatës do të ishte dëmi më i madh dhe nga kjo do të kisha frikë më së shumti”, u shpreh Zhbogar në një konferencë në Prishtinë.

Ai e pranoi se njerëzit në Kosovë janë skeptikë rreth punës së kësaj gjykate ideja për themelimin e së cilës lindi pas një raporti që senatori zviceran Dick Marty e dorëzoi në Këshillin e Evropës, e në të cilin bëhej fjalë për përfshirje të krerëve të ish UÇK-së në krime ndaj civilëve serbë.

Zhbogar thotë se tani është koha që Kosova “ta largojë këtë re të zezë”.

“Gjykata nuk do ta dëmtojë imazhin e Kosovës por do ta pastrojë atë... Kur flasim për raportin e Martyt apo dyshimet për krime të luftës, kjo ka të bëjë me dyshimet për krime të disa individëve. Tash ka ardhur koha që këto akuza t’ia hedhim individëve e jo Kosovës”, u shpreh Zhbogar.

Sipas tij, procesi i themelimit të gjykatës duhet të jetë kredibil, i paanshëm dhe ta shpalosë të vërtetën për akuzat e shfaqura.

Dhe pas themelimit të gjykatës, Zhbogar beson se Kosova do të mund ta nisë një proces të ri i cili “do të kishte ndikim në marrëdhëniet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë”.

Por për analistin Dukagjin Goranin, është e pamjaftueshme të thuhet vetëm se “gjykata duhet të themelohet.

“Asgjë nuk dihet për këtë gjykatë, vetëm dihet se ajo do të themelohet. Kjo krijon paqartësi”, u shpreh Gorani.

Por edhe ambasadori i Holandës, Robert Bosch, thotë se procesi i themelimit të kësaj gjykate është i pandalshëm.

“Nëse dikush nuk ka çka të fshehë, atëherë nuk mund të jetë kundër kësaj gjykate”, tha ai.

Shteti që përfaqëson Bosch, Holanda, pritet të jetë selia e kësaj gjykate, por diplomati thotë se kjo gjë nuk është vendosur ende.

“Holanda nuk është e përfshirë tash për tash sepse ky është proces evropian. Vetëm kur të kompletohet procesi atëherë mund të jemi aty ne”, tha Robert Bosch.

Ndërsa deputetja e Kuvendit të Kosovës nga LDK, Teuta Sahatqija, tha se institucionet e shtetit të Kosovës duhet të jenë në gjendje të ballafaqohen me sfida të tilla, siç është ajo e themelimit të Gjykatës Speciale.

Ajo la të kuptohet se pret që kompetencat e kësaj gjykate t’i përfshijnë edhe hetimin e gjykimin e vrasjeve të disa zyrtarëve të LDK-së pas luftës.

“Sa i përket LDK-së qe unë e përfaqësoj mjafton të përmendën atentatet dhe vrasjet dhe kjo tregon që kjo periudhë duhet të trajtohet seriozisht”, tha Sahatqija. /kallxo.com

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat