Islami: Brenda Qeverisë kemi njerëz të dyshuar për vrasje

Kosova

Islami: Brenda Qeverisë kemi njerëz të dyshuar për vrasje

Më: 21 prill 2015 Në ora: 09:54

Korrupsioni vazhdon të jetë sfidë kryesore e institucioneve të Kosovës, sfidë kjo që figuron në çdo raport ndërkombëtar dhe vendor, derisa lufta kundër kësaj dukurie vazhdon të jetë kryesisht vetëm verbale, si nga zyrtarët më të lartë të vendit ashtu edhe nga institucionet dhe asociacionet e ndryshme, të deklaruara për luftimin e korrupsionit.

Shkalla e lartë e korrupsionit ka bërë që Kosova në vitin 2012 nga organizatat ndërkombëtare të shpallet “kampione evropiane për korrupsion” dhe për ta luftuar këtë fenomen, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në shkurt të vitit 2012 pat themeluar Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit, formimin e të cilit e pat paralajmëruar me një pompozitet të madh. Por korrupsioni po vazhdon ta ngufatë Kosovën në të gjitha nivelet.

Ky këshill, i menduar për bashkërendimin e punës dhe aktiviteteve të institucioneve e agjencive për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, mbajti dy-tri mbledhje dhe efektet e tyre e as të këshillit askush deri më sot nuk i vlerësoi.

Niveli i luftimit të korrupsionit edhe në këtë këshillin e Jahjagës që mbanë emrin e madh – Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit, mbeti vetëm në nivel të luftimit me fjalë e jo me veprime.

Publicisti dhe analisti politik, Gazmend Islami, thekson se, presidentja e vendit Atifete Jahjaga është krejt e pafuqishme dhe nuk ka asnjë rol në ekzekutivin e vendit.

“Vetë mënyra e zgjedhjes së saj në krye të shtetit tregon se sa ka fuqi ekzekutive presidentja Jahjaga brenda institucioneve të Kosovës apo për të marr ndonjë vendim pozitiv në të mirën e vendit. Përkundër asaj që ajo ka krijuar Këshillin Kombëtar për të Luftuar Korrupsionin, ai është një këshill më shumë i cili vepron vetëm në letër siç kanë bërë pothuajse të gjitha vendet e tranzicionit sesa në këshill i cili e ka ndërmend ta luftoj krimin e organizuar që është kanceri i Kosovës”, thotë Islami.

Publicisti thekson se, krimi i organizuar dhe korrupsioni në Kosovë, fazën e parë të saj e ka brenda institucioneve. “Korrupsioni fillon që nga ish kryeministri Hashim Thaçi deri tek bartësit e tij. Pothuajse 90 për qind e Partisë Demokratike të Kosovës, ku pothuajse të gjithë deputetët e kësaj paritë janë milionerë që tregon më së miri se sa e kriminalizuar është kjo Qeveri, sesa krim të organizuar ka kjo Qeveri, dhe përderisa LDK-ja ja zgjat pushtetin Hashim Thaçit dhe krerëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe atyre të dyshuarve për vrasje politike siç është kryetari i Parlamentit të Kosovës, nuk ka se çka të pritet mirë për vendin tonë”, shton ai.

Mirëpo, sipas Islami problemi qëndron edhe tek opozita e cila është tepër e dobët, që sipas tij i kemi dy parti politike të cilat kanë qenë edhe më parë.

“Pra, AAK-ja dhe Nisma kanë marr të gjitha vendimet që kanë qenë në dëmë të Kosovës, pra ishin bashkëpjesëmarrëse në krim të organizuar, dhe kjo është krejt e logjikshme se asnjë prej qytetarëve nuk i beson këtyre protestave të cilat më shumë ngjasojnë në protesta të palaçove. Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje është orientuar në krahun ekstrem të majtë. Kështu që qytetarët e kanë kuptuar sepse ajo po të vjen në pushtet, do të bëhet një pushtet diktatorial, dhe këtë nuk e donë populli shqiptar. Prandaj jemi në një mjegull ku qytetari nuk din se si të vepron dhe ky është qëllimi që nuk i përkrahin as protestat”, thotë Islami.

Ai thekson se, mënyra e vetme për të luftuar korrupsionin është ndërrimi i këtij pushteti. E ky ndërrim i pushtetit sipas tij mund të ndodhte sikur të kemi protesta masive të qytetarëve të cilët nuk do të përkrahnin partitë politike të cilat veprojnë sot në Kosovë.

“Pra, ndryshimi ndodh duke e përkrahë ndonjë Këshill Kombëtarë i cili do të mund të formohej nga profesorë të ndershëm, nga njerëz të ndershëm të cilët nuk janë të kapur nga krimi i organizuar dhe korrupsioni dhe të krijojnë një Qeveri teknike për një kohë një vjeçare dhe kur do të krijohej ajo Qeveri teknike atëherë do të fillonte të merrej me arrestimin e politik dhe ekonomik që veprojnë në Kosovë. Përderisa këta janë të lirë atëherë nuk mund të kemi një shtet demokratik dhe nuk ka luftim të korrupsion. Pra, kush ta luftoj korrupsionin? Nga ata qe janë të kriminalizuar e qe janë vetë në pushtet?”, thotë publicisti dhe analisti politik, Gazmend Islami për gazetën "Bota sot".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat