Mësimdhënësit dhe prindërit kundër grevës

Kosova

Mësimdhënësit dhe prindërit kundër grevës

Më: 20 prill 2015 Në ora: 21:03

Me grevën e paralajmëruar nga SBASHK-u, e cila është shtyrë për 24 prill, nuk po pajtohen disa drejtues të shkollave dhe mësimdhënës.

Edhe pse e cilësojnë të drejtë kërkesën për rritje për 0.5% të përvojës së punës, megjithatë bojkotin e procesit mësimor e cilësojnë si të dëmshëm për nxënësit. Kundër grevës është shprehur edhe Këshilli i Prindërve i Kosovës.

Edhe pse Sindikata e Bashkuar e Arsimit sërish ka paralajmëruar grevë të përgjithshme më 24 prill, në rast se qeveria nuk e plotëson kërkesën e sindikalistëve, drejtues të disa shkollave në kryeqytet nuk do ta përkrahin atë.
Drejtori i shkollës fillore “Elena Gjika”, në Prishtinë, Osman Vitia, edhe pse i përkrah kërkesat e SBASHK-ut, thekson se humbja e mësimit dhe organizimi i grevës në fund të viti shkollor, nuk është zgjidhje që mësimdhënësit dhe sindikalistët t'i realizojnë qëllimet e tyre.

Madje, Vitia thotë se paga e mësimdhënësit prej 420 eurove, është e arsyeshme, siç thekson ai, nëse krahasohet me pagat e shërbyesve të tjerë civilë.

Vitia ka thënë gjithashtu se të ardhurat momentale në arsim nuk janë edhe për t'u nënvlerësuar, sepse shërbyesit civil nuk i kanë këto të ardhura.
Edhe mësimdhënësja e gjuhës angleze, Nurije Raçi, është kundër humbjes së procesit mësimor, edhe pse thotë se grevat janë të arsyeshme. Sipas saj, rrogat janë shumë të ulëta për të mbijetuar edhe për ti shkolluar fëmijët, por ajo nuk e përkrah humbjen e mësimit te fëmijëve dhe mbetja e tyre prapa.

Kundër grevës së SBASHK-ut, ka dalë edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës, i cili përmes një komunikate ka kërkuar nga përfaqësuesit e SBASHK-ut, veprime të matura dhe të mundësojnë që mësimi edhe këtë fundvit të përfundojë sipas planprogramit të paraparë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat