Tahiri: Populli po i jep kohë Qeverisë për të dëshmuar progres me politikat e sajë

Kosova

Tahiri: Populli po i jep kohë Qeverisë për të dëshmuar progres me politikat e sajë

Më: 20 prill 2015 Në ora: 14:07

Pas protestës të së shtunës, partitë opozitare i kanë dhënë dy javë afat Qeverisë që të reflektoj në përmbushjen e kërkesave të tyre, në të kundërtën do të përballen me qytetarët përsëri në rrugë.

Rreth kësaj çështje, politologu Mentor Tahiri, vlerëson se, në çdo sistem të mirëfilltë parlamentar, opozita ka rolin e saj të pamohueshëm.

Sipas tij, me vërejtjet e saj, opozita duhet të funksionojë si një aparat i presionit pozitiv, në drejtim të qëndrueshmërisë të ambientit llogaridhënës për veprimet e qeverisë. “Të gjithë ata që mendojnë se duhet trajtuar në heshtje proceset politike dhe ekonomike në vend, gabojnë, ngase kjo nuk është e shëndetshme për demokracinë. Përballja mes pozitës dhe opozitës, krijon mobilizim garues dhe rrit kualitetin e qasjes së mëtutjeshme karshi qytetarit të këtij vendi”, thotë Tahiri për gazetën “Bota sot”.

Njohësi i proceseve politike, vlerëson se numri relativisht i vogël i protestuesve, së paku dukshëm më i vogël se ai qe parashihej, bartë një mesazh për dyja “taborët” politike në Kosovë.

“Qeveria këtë nuk duhet kuptuar si një komoditet të cilin po ia ofrojnë qytetarët. Qeveria këtë në fakt duhet kuptuar si kohë që populli i jep për të dëshmuar progres me politikat e sajë ku disa tanimë janë të vëna në funksion e disa vetëm janë të paralajmëruara. Shqetësimet për disa aspekte si çmimi i energjisë elektrike duhet merren me më shumë seriozitet, kurse masat në këtë drejtim, nëse ato ekzistojnë, duhet të jenë më transparente për qytetarin, i cili është vërtetë në hallë me gjendjen financiare. Pretendimet se autoritete të caktuara janë të pavarura në përcaktimin e çmimit të shërbimeve, si në rastin e energjisë elektrike, janë të pabaza ngase dihet roli që institucionet e zgjedhura mund të kenë”, thotë ai.

Sipas politologut, numri i vogël i pjesëmarrësve është një vërejtje që qytetarët i dhanë opozitës, për shkak të joseriozitetit, mungesës së një platforme dhe në fund edhe vetë eksperimentimit me kërkesat e shtruara, e që tani kanë formën e ultimatumit.

“Sigurisht këtu luan rol të madh edhe përbërja e opozitës, ku është e qartë se ka dallime rrënjësore mes tyre, gjë nuk ka qene tërheqëse për një masë të qytetarëve. Disa prej tyre janë sprovuar më pak apo më shumë duke qenë jo vetëm pjesë e ekzekutiveve të mëparshme, por edhe bartës kryesor të politikave”, thotë ai.

Tahiri thotë se ultimatumi i dhënë, më shumë i ngjanë një gjesti i cili duhet të mirëmbajë frymën e protestave, kurse shumë pak ka pritshmëri reale edhe nga vetë opozita, që kërkesat të plotësohen në tërësi. “Opozita ka dështuar që të orientoj si duhet kërkesat, duke i vënë në një kategorie ato që janë vërtetë të realizueshme dhe ato që nuk janë. Disa kërkesa në fakt janë peng i disa proceseve politike ku pala kosovare nuk vendos në mënyrë sovrane si subjekt shtetërorë, dhe askush nuk mund të pretendojë të injorojë këtë si fakt”, thotë politologu Mentor Tahiri për gazetën “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat