​Presidentja feston sot...

Kosova

​Presidentja feston sot...

Më: 20 prill 2015 Në ora: 12:31

Sot nuk është një ditë e zakonshme për të. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga shënon sot ditëlindjen e saj. Ani pse thuhet që femrat nuk e bëjnë të ditur moshën, ajo është e para e vendit. Presidentja Jahjaga sot mbushë 40 vjet.

Që në orët e para të paradites, ajo nisi të marrë urimet për ditëlindjen e saj.

Presidentja Jahjaga mori pjesë sot në një konferencë për të drejtat dhe fuqizimin e gruas në Kosovë.

Pas fjalimit të saj, gjatë konferencës fjalën e mori eurodeputetja Ulrike Lunachek.

Ajo, duke treguar për rëndësinë e punës së që po bënë Jahjaga në mandatin e saj si presidente, e duke e përgëzuar atë për punën që po bënë drejtë përfaqësimit të denjë të gruas kosovare, Lunachek ndau disa fjalë edhe për t’i uruar ditëlindjen presidentes.

Lunachek përgëzoi presidenten për fjalimin e saj në konferencë, për punën e saj dhe shënimin e ditëlindjes.

Por, jo vetëm Lunachek uroi Jahjagën, edhe Christopher Edward, drejtor i USAID-it, nuk la pa shprehur urimet e tij drejtuar presidentes së Kosovës.

Atifete Jahjaga, ish zëvendësdrejtoreshë e Përgjithshme e Policisë së Kosovës, tash presidente e vendit, u lind më 20 prill të vitit 1975, në Rashkoc të Gjakovës, transmeton KosovaPress.

Që nga themelimi i Policisë së Kosovës, në fillim të vitit 2000, ajo shërbeu si police. Pastaj, përparoi në nivel rajonal dhe në atë të shtabit të përgjithshëm.

Ajo u zgjedh presidente e Kosovës më 7 prill të vitit 2011.

Gjatë karrierës së saj të mëhershme, Presidentja Jahjaga ka shërbyer në pozita të rëndësishme në zbatim të rendit dhe ligjit në Njësinë e Standardeve Profesionale, pastaj Ndihmëse e Zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës, Ndihmëse e Shefit të Burimeve Njerëzore, Ndihmëse Ekzekutive Speciale e Zëvendëskomisarit për Administratën e Policisë së Kosovës, Zëvendëskomandante për Polici Kufitare të Policisë së Kosovës, Kryesuese e Departamentit të Trajnimeve, Ndihmëse e Zëvendëskomisarit të Policisë së Kosovës për Polici Kufitare, Ndihmëse e Zëvendëskomisarit të Policisë së Kosovës për Personel dhe Trajnim.

Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në Prishtinë, ku gjithashtu i përfundoi studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, në vitin 2000. Ka përfunduar Certifikimin Postdiplomik në Menaxhimin Policor dhe të Drejtën Penale në Universitetin e Leicester-it në Mbretërinë e Bashkuar në vitet 2006-2007, Certifikimin Postdiplomik në Shkenca Kriminalistike në Universitetin e Virginia-s në SHBA, në vitin 2007. Aktualisht vazhdon studimet e Magjistraturës në drejtimin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Si shtesë e këtyre studimeve, vlen të theksohen programet profesionale dhe studimore që ka ndjekur në Qendrën Evropiane për Studime të Sigurisë “George C. Marshall” Gjermani, në Akademinë Nacionale të FBI-së në SHBA dhe në Departamentin e Drejtësisë në SHBA.

Përveç gjuhës shqipe (amtare), Presidentja Atifete Jahjaga zotëron edhe gjuhët angleze dhe serbe. Presidentja Atifete Jahjaga është e martuar me z. Astrit Kuçi dhe jeton në Prishtinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat