Obiliqi mobilizohet për përmirësimin e ambientit

Kosova

Obiliqi mobilizohet për përmirësimin e ambientit

Më: 19 prill 2015 Në ora: 13:21

Komuna e Obiliqit njihet si komuna më e ndotur e Kosovës. Objekti i KEK-ut i cili gjendet në këtë qytet shkakton dëme të mëdha të ambientit dhe e bën më të vështirë jetën e qytetarëve aty.

Po ashtu edhe deponia e Mirashit ku bëhet grumbullimi i bërllokut, bën që ambienti i kësaj komune të jetë shumë i ngarkuar me gjëra që e ndotin atë. Por, për ta rënduar më shumë gjendjen e keqe aty, janë krijuar edhe shume deponi ilegale të cilat po ju paraqesin telashe të mëdha qytetarëve.

Por, komuna e Obiliqit po tenton që të përmirësoj sadopak këtë ambient të keq. Kjo komunë ka marrë disa aksione.

Ditëve të fundit në këtë komunë janë mbjell mbi 3 mijë drunj, gjë që shënon edhe mbjelljen më të madhe që është bërë ndonjëherë në këtë komunë.

Arben Berisha, drejtor i drejtorisë për mbrojtjen e Ambientit në këtë komunë, thotë se ata janë duke u munduar që në çdo mënyrë ta zbusin gjendjen mjedisore, e cila është shumë e rëndë në qytetin e Obiliqit.

Berisha: Kemi mbjellë mbi 3 mijë drunj

“Si drejtori e ambientit kemi bërë disa projekte në kuadër të përmirësimit të gjendjes mjedisore në komunën tonë. Njëri ndër aktivitetet që jemi në përfundim të sezonës së mbjellës së drunjve, kemi mbjellë një sasi të drunjve gjë që është për herë të parë në komunën tonë një sasi e tillë. Kemi mbi 3 mijë drunj që ka ndryshuar edhe hyrjen edhe daljen e qytetit të Obiliqit, për mbi 20 kilometra drunj që kemi mbledhur nëpër fshatra dhe në rrugën kryesore Obiliq deri në dalje të fshatit Milloshevë dhe jemi munduar që sado pak me zbut gjendjen mjedisore në Obiliq”, tha Berisha.

Ndërsa, për të vazhduar me projektet e pastrimit dhe përmirësimit të gjendjes mjedisore në Obiliq, për ditën e Tokës do të merret një aksion për eliminimin e deponive ilegale, të cilat janë të shumta në këtë komunë.

Berisha: Për ditën e Tokës kemi aksion për eliminimin e deponive ilegale

“Tash e kemi fazën për ditën e tokës që ne do ta fillojmë më 21 prill, ku përkrahjen e kem nga FSK me teknikën e tyre, KEK-un, po ashtu Kosova Thëngjilli ka shprehur po ashtu dëshirë që të na ndihmojë. Kështu që këto na ndihmojnë eliminimin e deponive ilegale. Kujtoj që kemi bërë një punë të mirë dhe jemi duke bërë përmirësim gradual të gjendjes mjedisore në Obiliq”, tha ai.

Po ashtu, sipas Berishës, ata së bashku me KEK-un janë duke punuar në përmirësimin e ndotjes së ajrit që vije nga kjo e fundit dhe tani sipas tij, gjendja në Obiliq është shumë më e mirë se që ka qenë, megjithëse ka ende vend për përmirësime të mëdha. Por, ai thotë se kanë marrë zotime nga kjo kompani se do të ketë përmirësime në shumë sfera.

Berisha: KEK është zotuar për përmirësime në shumë sfera

“Tash i kemi edhe disa përparësi në KEK që janë bërë, disa investime shumë të mira ku bartja e hirit bëhet përmes pompave në gjendje të lëngët dhe gjendjen e kemi shumë më të mirë se sa që e kemi pasur. Por, megjithatë nuk është mirë, tejkalimi i ndotjes së ambientit është enorme nga vetë KEK-u, por ne po përpiqemi që ne të ndryshojmë dhe jemi në përmirësim e sipër... KEK zotohet se do të bëj përmirësimin në shumë sfera, sepse kemi shtresim të problemeve me dekada që nuk kalohen për një vit, e dy, e tri, por megjithatë jemi në rrugë e sipër për të mirë që çështja mjedisore është më mirë se që ka qenë. Tani mundemi me thënë se është gjendja më e mirë se që ka qenë”, deklaroi ai.

Po ashtu, nëpër shkolla ka filluar një fushatë vetëdijësuese për ndryshimin e gjendjes mjedisore, ku janë shpërndarë shumë fletëshpalosje, me qëllim që përmes fëmijëve të ndikohet edhe në familje.

Kjo komunë, shpreson që dita botërore e Tokës në këtë vit dhe vitet e ardhshme t’i gjejë banorët e saj në një gjendje sa më mirë dhe me më pak ndotje të ajrit./KP

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat