Vuçiq kërcënon Thaçin me arrestim

Kosova

Vuçiq kërcënon Thaçin me arrestim

Më: 19 prill 2015 Në ora: 08:54

Pavarësisht disponimit të ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, për të vizituar Beogradin, një gjë e tillë do të jetë e pamundur.

Kjo për faktin se autoritetet në Serbi kanë kërcënuar Thaçin, se nëse shkel tokën serbe do të arrestohet. Së fundmi edhe kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se një vizitë e tillë është e papranueshme.

Ai ka përmendur fletarrestimin për Thaçin e që kjo automatikisht kuptohet edhe me arrestimin e tij.

“Ligjet në Serbi ekzistojnë dhe shteti ynë do të veprojë sipas ligjit nëse Thaçi vendos të vijë në Beograd.

Askush nga Brukseli nuk ka intervenuar dhe nuk na ka sugjeruar se si të veprojmë në vizitën e mundshme të Thaçit”, ka deklaruar Vuçiq.

Ndërsa i pyetur për mosarrestimin e ish-kryeministrit britanik, Tony Blair, i cili njëkohësisht ishte i akuzuar nga gjykatat serbe në kohën kur ai vizitoi Serbinë, Vuçiq tha se “Hashim Thaçit nuk i është hequr akuza dhe shteti ynë do të veprojë sipas ligjeve në fuqi”.

Përpos Vuçiqit edhe kryepolici serb, Nebojsha Stefanoviq, ka thënë se Thaçi do të arrestohet nëse vjen në Serbi, kurse homologu ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq, thotë se është e panevojshme një vizitë e tillë.

Nga ana tjetër, zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, ditë më parë ka deklaruar se Ministria i është përgjigjur pozitivisht ftesës, sepse, sipas tij, këto vizita e ndihmojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

“Nëse do të ketë vizitë, nuk varet nga Kosova, por nga gatishmëria në Beograd”, ka thënë Selimi.

Ndryshe, fletarresti ndaj Thaçit daton që nga koha e Sllobodan Millosheviqit me arsyen e pjesëmarrjes së tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Por nga paslufta, ky fletarrest i lëshuar nga ish-regjimi i Millsheviqit edhe përmes INTERPOL-it është shfuqizuar për vendet e tjera, përderisa në Serbi prokurori serb ka bërë me dije se mbet ende ne fuqi.

Juristi Bogolub Millosavleviq, profesor në Universitetin Union në Beograd, ka thënë për REL-in se formalisht prokurori Vukçeviq ka të drejtë, por a do të zbatohet ky urdhërarrest është diçka tjetër.

“Pasi që bëhet fjalë për vepra që ndërlidhen me krimet e luftës, arrestimi mund të ndodhë pavarësisht se kanë kaluar shumë vjet, pasi që këto vepra nuk vjetërsohen”, ka thënë Millosavleviq.

Ndryshe Thaçi ka marrë ftesë nga organizata joqeveritare “Komiteti i Edukimit të të Rinjve” për pjesëmarrje në konferencën rajonale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat