​Hiqen mbeturinat te Kalaja e Prizrenit

Kosova

​Hiqen mbeturinat te Kalaja e Prizrenit

Më: 18 prill 2015 Në ora: 16:50

Kalaja e qytetit të Prizrenit sot mori pamje krejt tjetër pasi që mbeturinat në këtë pjesë u hoqën të gjitha.

Një aktivitet të tillë e ka ndërmarrë iniciativa "Ta pastrojmë Kosovën" në bashkëpunim me departamentin e trashëgimisë në ministrinë e kulturës, drejtorinë e shërbimeve publike të komunës së Prizrenit dhe shumë organizata e nxënës të shkollave fillore e të mesme.

Kjo fushatë ka për qëllim që të përçoj mesazhin në ditën botërore të trashëgimisë kulturore se si çdo monument tjetër, edhe kalaja e Prizrenit duhet të ruhet dhe se janë vetë qytetarët ata që duhet ta mbrojnë atë.

Luan Hasanaj, koordinator i iniciativës ta pastrojmë Kosovën, tha se ata e morën këtë iniciativë në kalanë e Prizrenit, pasiqë ka shumë vizitorë të huaj dhe kjo pamje nuk është aspak e hijshme.

Hasanaj: Pamje të tilla nuk duhet të shohim

“Pra sot lidhet me ditën ndërkombëtare të trashëgimisë botërore dhe ne menduam që një aksion i pastrimit të merret në këtë hapësirë për shumë arsye. Duke e ditur që Prizreni është njëri ndër qytetet më të vjetra në Kosovë, duhet ditur që ka shumë vizitor dhe kjo është një kala që vizitohet nga turistët nga e mbarë bota dhe për fat të keq, këto pamje që po i shohim këtu e shëmtojnë shumë këtë hapësirë”, tha Hasanaj .

Për pastrimin e kësaj pjese të qytetit kanë dalë sot edhe zyrtarë të komunës së Prizrenit. Kujtim Gashi, kryesues i kuvendit komunalë në Prizren, tha se Kalaja është problematike për shkak të pozitës që ka.

Gashi: Do të vendosim kontejnerë

“Komuna e Prizrenit është mjaftë e përkushtuar për pastërtinë e qytetit të Prizrenit, ndërsa pjesa e Kalas është një problem në vete për shkak të pozitës fizike që gjendet. Megjithatë komuna e Prizrenit herë pas here ka vendosur mjete për hedhjen e mbeturinave, por janë keqpërdorur nga vizitor të ndryshëm. Sido që të jetë, ne shumë shpejtë do të vendosim prapë kontejnerë të rinj dhe do të angazhojmë një kompani e cila do të jetë çdo orë në shërbim të këtyre monumenteve”, tha Gashi.

Vesa Hasanaj, e cila kishte ardhur nga Istogu për të ndihmuar në këtë aksion tha se ata qytetarët e Kosovës duhet çdo here ta pastrojnë vendin dhe të mos hedhin mbeturina.

Vesa Hasanaj: Pastroni oborret e juaja

“Ne nuk duhet të hedhim mbeturina para shtëpisë sepse të gjithë kemi dëshirë që të mos i shohim mbeturinat para shtëpisë sonë, por nuk është edhe aq e lehtë që të hedhim mbeturina edhe në oborrin e të tjerëve, sepse edhe ata e ndjenjë të njëjtën gjë siç e ndjejmë edhe ne”, tha Hasanaj.

Ky aktivitet që ka filluar që nga fillimi i muajit prill do të vazhdoj gjatë gjithë këtij muaji dhe do të përfundoj me 24 maj me një aksion të madh të përbashkët në të gjithë Kosovën./KosovaPress/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat