​Nis ndërtimi i shtatores së komandantit të UÇK-së, Sadik Bega-Mortaja

Kosova

​Nis ndërtimi i shtatores së komandantit të UÇK-së, Sadik Bega-Mortaja

Më: 18 prill 2015 Në ora: 15:00

Me një ceremoni është vënë gurëthemeli i shtatores së dëshmorit të UÇK-së, Sadik Bega, në 16 vjetorin e rënies së tij heroike. Në aktin e vënies së gurëthemelit, bashkëluftëtarë të tij kanë thënë se kujtimi për dëshmorët nuk do të shuhet asnjëherë, ndërsa monumentet e këtilla do të jenë frymëzuese për gjeneratat e reja, për ta dashur vendin dhe punuar për lirinë dhe paqen e tij.

Njëri nga komandantët e shquar të UÇK-së, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica ka thënë se akti i vënies së gurthemelit të kësaj shtatore ngërthen emocione të veçanta, pasi bëhet fjalë për bashkëluftëtarin me të cilin kanë marrë pjesë në beteja për liri, duke rrugëtuar drejt lirisë dhe arritjes së idealit suprem.

"UÇK-ja në mesin e shumë karakteristikave që ka, një është e veçantë, pasi pjesa dërrmuese e dëshmorëve kanë qenë eprorë, komandantë. Mortaja dhe Toni kanë qenë komandantë, njëri i njësisë speciale e tjetri i njësisë diversante- vëzhguese të ZO të Neredimes. Komandantët kanë qenë ata që u kanë prirë betejave, për atë arsye kemi edhe shumë komandantë të rënë gjatë luftës së UÇK-së", ka thënë Reçica.

Reçica ka thënë se bashkëluftëtarët e dëshmorëve ndjehen krenarë sot për këtë vepër që do të lartësohet në këtë vend.

Ndërsa Gazmend Bytyçi, kryetar i Shoqatës së Invalidëve të Luftës, ka vënë në dukje se në këtë vend do të ngihet një shtatore që do të jetë objekt i trashëgimisë së begatë të popullit tonë, për gjitha brezat që do të vijnë.

"Nuk besoj se do të ketë frymëzim më të mirë për brezat e ri që të kenë në vëmendje dhe mbamendjen e tyre këtë monument, që do të tregojë se ka qenë një kohë që ka pasur luftëtarë lirie dhe kjo do të simbolika më e mirë e ruajtjes dhe kultivimit të vlerave kombëtare", ka thënë Bytyçi.

Edhe familjarët e dëshmorit, kanë falënderuar gjithë ata që kanë dhënë dhe do të japin kontributin e tyre për ndërtimin e këtij monumenti me vlera të mëdha.

Sipas anëtarëve të Këshillit për ngritjen e shtatores, kjo vepër pritet të përurohet në ditën e dëshmorëve të UÇK-së, më 28 shtator të këtij viti.

Sadik Bega-Mortaja dhe Driton Islami-Toni kanë rënë në altarin e lirisë më 18 prill 1999, në Betejën e Slivovës në përballje direkte me forcat e shumta ushtarake e policore serbe të dislokuara në këtë fshat. Në Slivovë, në vendin e rënies është ngritur vite më parë një pllakë përkujtimore si dhe një lapidar në hyrje të fshatit si dhe një shtatore e komandant Tonit, tek rreth-rrotullimi në fshatin Talinoc të Jerlive, në hyrje të Ferizajt.

Para vënies së gurëthemelit, në varrezat e dëshmorëve të UÇK-së në Ferizaj, janë bërë homazhe si dhe janë vendosur lule në varret e të rënëve për liri./kp/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat