Haraçi, ky fenomen që po na shqetëson!

Kosova

Haraçi, ky fenomen që po na shqetëson!

Më: 18 prill 2015 Në ora: 10:35

Fenomeni “haraç” është i pranishëm dhe i përhapur në Kosovës, megjithatë kësaj problematike nuk i është kushtuar edhe mjaft rëndësi dhe hapësirë për t’u trajtuar.

Haraçi karakterizohet më mungese të informacioneve, bashkëpunimit dhe jo transparencës së institucioneve përgjegjëse, por edhe të vetë viktimave, të cilat janë të atakuar. Dhe pikërisht për këtë edhe opinioni është shumë pak i informuar ose ka informacione te kufizuara lidhur me ketë fenomen. Edhe 16 vjet pas luftës dëshmon për një neglizhencë të policisë dhe institucioneve të hetuesisë.

Viktima e fundit që ra pre e haraçit në Kosovë, është Eroll Vitaku. Ai ka paguar haraç vite me radhë disa personave të cilët kishin kërkuar para në emër të disa komandantëve të UÇK-së.

Zyrtarë të Policisë së Kosovës thonë për gazetën “Bota sot” se, se Policia e Kosovës i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore dhe deri më tani si rezultat i hetimeve intensive është arritur që të arrestohen tre persona të dyshuar, të cilët dyshohen të jenë të përfshire në këtë rast.

“Hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar, dhe ne koordinim me prokurorin kompetent po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme policore dhe në radhë të parë të besohet në sundim të rendit dhe ligjit dhe duhet të denoncohen rastet e tilla”, thonë zyrtarët policor.

Eksperti i sigurisë Naim Miftari thotë se policia e Kosovës ka realizuar një numër operacionesh dhe ka arrestuar një numër te konsiderueshëm të dyshimtëve për të cilët ka pas dyshim te besueshëm dhe prova se janë te përfshirë në ketë fenomen.

Sipas tij, ky fenomen karakterizohet me rrethanat tjera përcjellëse të ambientit, kulturës, organizimit, efikasitetit të institucioneve dhe mënyrës se jetesës në përgjithësi në Kosovë. Ai thotë se së pari ka një mungesë bashkëpunimi dhe komunikimi të mirëfilltë të qytetareve/viktimave të atakuara më policinë, për arsye të ndryshme.

“Ndër kryesoret që dëshiroj të nënvizoj është se viktimat në rastet e tilla janë të kërcënuara nga kriminelët për të mos komunikuar me policinë. Sepse në të kundërtën mund të pësojnë me konsekuenca tjera në forma nga më të ndryshmet si kidnapimi i anëtareve të familjes se tyre, shkatërrimit të pronave, bizneseve përmes formave banditeske, përdorimit të forcës dhe muskulit rrugor, duke shkuar edhe më forma më radikale si ato të vënies se eksplozivit, hedhjes se granatave në pronat, automjetet apo edhe shtëpitë e tyre si një formë presionit te drejtpërdrejtë etj”, thotë ai.

Njohësi i çështjeve politike, Arbër Gashi, thotë se zhvillimi ekonomik në Kosovë po ngec për shkak të pamundësisë së operimit të drejtuesve serioz, të biznesit kombëtar e ndërkombëtar në tregun vendor. Ai thotë se detyrimi për të paguar haraç ndaj strukturave para shtetërore është krim.

“Këtë po e pohojnë në biseda të lira edhe shumë mërgimtar shqiptar, drejtues biznesesh në vendet evropianë, të cilët kanë ardhur në Kosovë me plane të gatshme për të investuar në vendlindje por për shkaqe të sigurisë dhe haraçit të detyrueshëm janë kthyer sërish në mërgim ose kanë investuar në vendet përreth nesh. Në këtë dukuri të shëmtuar kanë hasur edhe shumica e investitorëve të huaj, dhe është plotësisht e natyrshme që ata ia kanë kthyer shpinën Kosovës”, thotë Gashi.

Sipas tij, për të poseduar një ekonomi të suksesshme, shoqërisë sonë i nevojitet të krijoj një ambient të shëndoshë biznesi. “Shteti ynë, apo më mirë thënë partitë që e kanë drejtuar shtetin tonë deri më tash, përveç shërbimit dhe sistemimit të vetvetes në pushtet, nuk kanë bërë pothuajse asgjë pozitive për të sistemuar në tregun e punës resurset më të mëdha që posedon ekonomia e një shteti. Informacionet për haraçlinjtë kanë qenë dhe janë të njohura për shërbimet inteligjente vendore dhe ndërkombëtare. Arsyet e tolerimit duhet kërkuar së pari në sjelljen tonë si shoqëri e organizuar dhe e cila krijon vlerë për ta mbrojë vetën nga krimi”, thotë Gashi.

Ai ka theksuar se shoqëria jonë duhet ta kuptoj, se ambientin për mbijetesën e haraçlinjve e krijoi euforia për komandantët e ekonomisë informale, të cilët sipas zakonit, ditën prodhojnë beteja të humbura dhe natën inspektojnë pasojat negative që i kanë lënë pas. “Kjo sjellje toleruese e shoqërisë sonë ndaj haraçlinjve po e mundëson kontestimin e aftësisë tonë shtet ndërtuese. Përfituesit e kësaj gjendje politike janë: protektorët sundimtarë që po na e zënë frymën me demagogji e izolim, politikanët vasalë e servil ndaj protektorëve dhe haraçlinjtë, kjo hije e zezë dhe e padukshme që kërcënon madje edhe jetën e qytetarëve”, thotë Gashi për gazetën “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat