Pacolli: Çfarë synon të arrijë opozita me anë të protestës?

Kosova

Pacolli: Çfarë synon të arrijë opozita me anë të protestës?

Më: 18 prill 2015 Në ora: 09:17

Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka shpërndarë një letër në rrjetin social, facebook ku i shpreh disa qëndrime rreth protestës dhe punës së dyanshme, qeveri – opozitë.

Letra e plotë e z. Pacolli

E drejta e protestës është një e drejtë e shenjtë në një demokraci. Kosova e ka fituar me gjak këtë të drejtë edhe në një regjim aparteidi si ai i Serbisë.

Kur protesta është politike, dmth e organizuar prej partive politike të opozitës, ajo është tregues se këto parti mbështetur në pakënaqësinë popullore, duan t’i tregojnë qeverisë fuqinë e tyre elektorale, dhe të arrijnë synime të caktuara politike. Pra ta detyrojnë qeverinë që të miratojë politika të caktuara.

Ndërkaq rruga e protestës është rruga e vetme që mbetet pasi janë shterrur rrugët e tjera të presionit politik në parlament, apo në forma të tjera institucionale.

E di fare mirë se kjo qeveri ka diferenca të mëdha midis veprimit të vet ekzekutiv dhe premtimeve elektorale të paradokohshme që mund ta çonin kosovarin e thjeshtë dhe në Hënë.

E di fare mirë se që nga protestat e fundit qeveria nuk ka ndryshuar shumëçka në sjelljen e vet.

Ka vazhduar konfuzioni, retorika premtuese, mungesa e programit nga qeveria.

Por a ka ushtruar, a ka shterrur opozita ndërkaq gjithë rrugët e tjera të presionit apo kundërvënies politike? Unë besoj se jo.

A ka qenë kuvendi arenë përplasjesh programesh, vizionesh, alternativash? Nuk kam parë shumë programe në atë sallë.

Cila është fuqia elektorale e opozitës? Unë besoj se është herët për të folur për një opozitë të bashkuar.

Dhe çfarë synon të arrijë opozita me anë të protestës? S’po kuptoj qartësisht se çfarë duan krerët e partive kryesore të opozitës, sepse s’ka kurrgjë publike për qëllimet, kushtet, ultimatumet e saj. Jemi një situatë të re pas protestave të fundit. Jo çdo gjë që u kërkua atëherë mund të kërkohet dhe sot.

A don t’i përmbahet opozita veprimeve paqësore, që respektojnë ligjin, apo do tentojë ta shkelë ligjin? Nuk kam dëgjuar garanci për këtë dhe do ishte mirë të jepen. Po a i duhen Kosovës protestat e dhunshme? Unë them JO!

Kur ka munguar shkallëzimi i presionit opozitar brenda institucioneve dhe nuk janë ndjekur etapat, atëherë protestat që përdorin forcën popullore janë të dëmshme.

Le të mbyllim me një vlersim.

Kur opozita i ka përdorur gjithë mjetet politike brenda institucioneve, pa rezultat aq sa protesta mbetet e vetmja rrugë;

kur ka rritur mbështetjen e vet popullore në një pikë kritike; kur ajo e ka të qartë se çfarë kërkon,
opozita mund të arrijë diçka nëpërmjet protestës.

Ndaj protestimi paqësor është i mirëpritur!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat