Jahjaga: Dështimi për ngritjen e gjykatës së posaçme – rrezik për Kosovën

Kosova

Jahjaga: Dështimi për ngritjen e gjykatës së posaçme – rrezik për Kosovën

Më: 18 prill 2015 Në ora: 07:48

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha të premten se Kosova duhet të përmbyllë kapitullin e rëndë të ngritjes së Gjykatës së Posacme që do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare në krime lufte.

Presidentja i bëri këto komente pas takimeve me shefat e grupeve parlamentare të partive politike të përfaqësuara në Parlamentin e Kosovës për të diskutuar hapat e deritashëm të ndërmarrë në procesin e krijimit të Gjykatës së Posaçme dhe “domosdoshmërinë e përmbushjes së detyrimeve ndërkombëtare të miratuara me shumicë votash në Parlamentin e Kosovës”. Ajo ka njoftuar shefat e grupeve parlamentare “për nevojën e përmbylljes së këtij kapitulli të rëndë për Kosovën që do të merret me akuzat për krime të pretenduara të individëve dhe jo më pastërtinë e luftës çlirimtare të Kosovës”.

“Unë e kam thënë disa herë dhe e ritheksoj edhe herave të ardhshme se kjo nuk e vendos në pikëpyetje luftën e lavdishme të UÇK-së, por është një proces që ka të bëjë me individë të caktuar dhe ne kemi thënë se ne si shtet, por është edhe parim kushtetues i Kosovës se jemi të përcaktuar për drejtësinë ndaj të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ne duhet t’i përmbahemi këtij parimi dhe ne duhet ta përmbushim këtë detyrim”, tha presidentja Jahjaga.

Ajo nënvizoi se “alternativa tjetër e cila është përcaktuar për Kosovën, unë them se është alternativë shumë e rrezikshme për Kosovën që të kalohet në Këshillin e Sigurimit dhe unë besoj se të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe të gjithë përfaqësuesit e popullit të Kosovës, që janë deputetët e parlamentit të Kosovës duhet ta gjejnë kurajon dhe guximin që të mos shkojnë asaj rruge, por ta përmbushin atë obligim ndërkombëtar që ne e kemi marrë si shtet”.

Të mërkurën Gjykata Kushtetuese e Kosovës, vlerësoi se ndryshimet kushtetuese për themelimin e gjykatës së posaçme për krime lufte, nuk janë në kundërshtim me kushtetutën e vendit. Pas këtij vleërsimi janë shtuar përpjekjet për të siguruar ngritjen e gjykatës.

Ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jackobson, tha të enjten se dështimi i mundshëm i parlamentit të Kosovës që të votojë ngritjen e Gjykatës së Posaçme, do ta çojë çështjen në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Në një intervistë për media, ajo tha se Shtetet e Bashkuara në një rast të tillë do të jenë të pafuqishme për të bllokuar nismën e kahershme të Rusisë për këtë çështje, e që sipas saj, do të jetë edhe politikisht më e rrezikshme për Kosovën.

Më 9 mars kryesia e parlamentit të Kosovës kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese propozimet për amendamentet kushtetuese që mundësojnë ngritjen e Gjykatës së Posaçme, që do të trajtojë pretendimet për përfshirje të ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte. Kjo ishte bërë me qëllim që siç thuhej të sigurohen se të njëjtat janë në përputhje me frymën kushtetuese të vendit.

Në prill të vitit të kaluar parlamenti i Kosovës me 89 vota për e 22 kundër miratoi themelimin e gjykatës së posaçme, ndërsa tani po përgatitet infrastruktura kushtetuese e ligjore për funksionimin e saj. Sivjet, opozita ka paralajmëruar votimin kundër ngritjes se kësaj gjykate të cilën e vlerëson edhe si cenuese të sistemit të drejtësisë në Kosovë por edhe sovranitetit të saj. Gjykata pritet të vendoset në Holandë, ndonëse ende nuk ka një marrëveshje për këtë çështje dhe ajo do të drejtohet nga gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë.

Qeveria krahas propozimeve për ndryshime kushtetuese miratoi në fillim të marsit edhe projektligjin për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave që mund të akuzohen në proceset gjyqësore të kësaj gjykate.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dikc Marty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës. Ish shefi i Grupit Hetues të Bashkimit Evropian, për këtë çështje prokurori amerikan Clint Williamson, në fund të muajit korrik të vitit 2014, tha se zyrtarë të lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të përballen me akuza për krime kundër njerëzimit.

Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat