​Opozita pa alternativë, rruga i mbetet opsion

Kosova

​Opozita pa alternativë, rruga i mbetet opsion

Më: 17 prill 2015 Në ora: 18:52

Asnjëherë më parë opozita në vend nuk është ndjerë më e pafuqishme për të quar përpara nisma, iniciativa dhe rekomandime të cilat po vazhdojnë të mos gjejnë mbështetjen nga mazhoranca e cila po ashtu kurrë më parë nuk ka qenë me numër kaq të madh si në këtë mandat.

Një arrogancë e tillë e numrave vlerësojnë opozitarët, ka bërë që koalicioni LDK-PDK të bllokojë çfarëdo nisme të tyre, situatë kjo që sipas tyre nuk iu lë alternativë tjetër veçse dalje në protestë, për të arritur ato që brenda institucioneve nuk po i arrijnë.

Frashër Krasniqi, zyrtar për medie në Lëvizjen Vetëvendosje ka thënë për KosovaPress se vendimet që merren në Kuvend nuk do të duhej të jetë reflektim i numrave në kuvend, por i drejtësisë së atyre vendimeve që merren. Sipas tij rruga e vetme që ka mbetur për të realizuar qëllimet e tyre është rruga.

Krasniqi: Rruga e vetme protesta

“Vendimet në Kuvend nuk do të duhej të ishin reflektim të pazareve politike, por do të duhej të ishin reflektim i drejtësisë së një vendimi. Çka ka kërkuar opozita vazhdimisht në Kuvend p.sh ka qenë miratimi i një ligji që Trepça të bëhet ndërmarrje pastaj edhe rekomandimet në përgjithësi po du me thanë kërkesat e opozitës kanë qenë të drejta, vazhdimisht dhe sit ë tilla është dashur të përkrahen vazhdimisht edhe nga deputetët e shumicës, sepse janë kërkesa që janë në të mirë të qytetarëve të Kosovës. Në këtë kuptim opozita duke e parë që shumica në kuvend pra partitë në pushtet nuk kanë interes që të merren me çështje që janë për të mirën e qytetarëve të Kosovës, atëherë kemi ardhur në përfundim që një nga rrugët e vetme që kanë mbetur për t’i quar përpara disa çështje janë protestat”, tha Krasniqi.

Ndërsa Donika Kadaj Bujupi shefe e Grupit Parlamentar të AAK-së ka deklaruar se arroganca e numrave të koalicionit qeverisës, i cili po bllokon çdo nismë të tyre, i ka bërë bashkë subjektet opozitare,VV, AAK dhe Nisma për Kosovën. Këto subjekte sipas saj do të vazhdojnë të koordinojë veprimet e tyre për të quar përpara qëllimet që kanë.

Kadaj-Bujupi: Do të bashkërendojmë veprimet tona

“Për shkak të arrogancës së pushtetarëve dhe për shkak se rregullorja e kuvendit parasheh se për çfarëdo nisme do të kërkohen të paktën 40 nënshkrime të deputetëve, për shkak të kësaj bashkëjetese të çuditshme të PDK-së me LDK, ne kemi vendos që jetën parlamentare dhe veprimet parlamentare t’i bashkërenditim edhe me veprime të tjera ku përmes protestave dhe përkrahjes së qytetarëve t’i japim fund kësaj keqqeverisje, kësaj arrogance dhe abuzimit me pushtetin dhe abuzimin me paranë publike”, tha Kadaj-Bujupi.

Në anën tjetër analistët në vend vlerësojnë se opozita nuk po shfrytëzon sa duhet mjetet parlamentare për të arritur qëllimet e tyre. Sipas drejtuesit të Lëvizjes FOL, Petrit Zogaj, protestat ndihmojnë jetën parlamentare por nuk e kryejnë funksionin e saj.

Zogaj: Protesta nuk kryen jetën parlamentare

“Opozita aktualisht ka disa numra të cilët numra nuk po i shfrytëzon sa duhet dhe po prej pozitës. Ta zëmë janë tetë deputetë të cilët në vazhdimësi deklaron goxha shumë anti -qeverisë Mustafa, anti – Qeverisë Thaçi , unë besoj që edhe kombinimin me këta 8 deputetë do të ja jepte të paktën numrin e 40-tve që është i mjaftueshëm për të thirr interpelanca dhe seancë të jashtëzakonshme . Në këtë kuptim e shoh opozitën, e shoh sikur normale thirrja e protestave, por që prapë e besoj që protestat mund të i ndihmojnë jetës parlamentare por protestat nuk e kryejnë jetën parlamentare. Pra në cilindo rast, opozita do të duhej të shkoj në kuvend dhe të bëj prapë propozime dhe të bëj prapë debate. Dhe në fakt ky është roli i opozitës”, tha Zogaj.

E për Driton Selmanaj të KDI-së, në tërë pafuqinë e opozitës, megjithatë mund të gjendet diçka pozitive, pasi që për herë të parë në jetën parlamentare në Kosovës, të gjitha subjektet opozitare kanë kaluar dallimet e tyre ideologjike e partiake, për tu bashkuar kundër pushtetit.

Selmanaj: Opozita për herë të parë së bashku

“Është diçka pozitive se ndoshta për herë të parë në Kosovën të gjitha partitë politike që janë në opozitë janë bërë bashkë. Përkundër që dallojnë në aspektin ideologjik, në aspektin historik të themelimit, të formimit të funksionimit të tyre tani kanë një objektiv të përbashkët, sikur po gjejnë gjuhë të përbashkët. Si duket ata e kanë gjet adresën, adresa është pushteti, pushteti është në dëm të tyre dhe ata forca kohezive që ata po I bënë bashkë është pushteti”, theksoi Selmanaj.

Ndryshe subjektet opozitare kohë më parë kishin dhënë rekomandime lidhur me Gjykatën Speciale, për 100 ditëshin e qeverisës Mustafa, rekomandime të cilat nuk kishin kaluar. Të vetme rekomandime që kanë kaluar në Kuvendin e Kosovës kanë qenë ato për Radiotelevizionin e Kosovës, e të cilat kanë kaluar vetëm pasi janë harmonizuar me koalicionin qeverisës. /A.Sahiti/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat