Kushtetuesja i hapë rrugë dekretimit të Lumezit kryeprokuror

Kosova

Kushtetuesja i hapë rrugë dekretimit të Lumezit kryeprokuror

Më: 17 prill 2015 Në ora: 18:38

Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka hapur rrugë dekretimit të Aleksandër Lumezit për Kryeprokuror të Shtetit.

Vendimi që është marrë sot nga Gjykata Kushtetuese, është nënshkruar nga Enver Hasani dhe i është drejtuar kryesuesit të Këshillit Prokurorial, Sylë Hoxha.

“Pas shqyrtimit të dokumentacionit të dorëzuar nga Këshilli Prokurorial, konsideron se aktgjykimi i Kushtetueses i datës 18 korrik 2014 është zbatuar me anulimin e vendimeve të kontestuara për nominimin e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit dhe me përsëritjen e procedurës se zgjedhjes për postin e Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në letër.

Por, Hasani ia ka lënë në dorë Atifete Jahjagës që të vendosë për konkursin e dytë, ku u rizgjodh Aleksandër Lumezi kryeprokuror.

“Sa i përket procedurës së përsëritur të zgjedhjes, tani i takon Presidentes së Republikës së Kosovës që në bazë të mandatit të saj kushtetues ta vlerësojë atë procedurë”, thuhet në letër.

Aty arsyetohet se për atë pjesë Kushtetuesja nuk mund të vendosë sepse nuk ka pasur një ankesë në Gjykatë, ani pse kështu nuk ishte qëndrimi i Gjykatës kur i kërkoi vazhdimisht dokumente KPK-së.

Emri i Lumezit tash e disa muaj është duke pritur për dekretim nga Presidentja e Kosovës, pasi kishte marrë votat e mjaftueshme në Këshillin Prokurorial për këtë pozitë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat