Limaj: Gjuha e dy kryeministrave i ngjason regjimeve diktatoriale

Kosova

Limaj: Gjuha e dy kryeministrave i ngjason regjimeve diktatoriale

Më: 17 prill 2015 Në ora: 15:30

(E plotësuar) Tri partitë opozitare e kanë dënuar, siç e kanë quajtur ata, gjuhën e dhunës, frikësimit dhe kërcënimit që kanë përdorur dje kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi në seancën e Kuvendit dhe mbledhjen e Qeverisë. Pas një takimi që kanë pasur para protestës së nesërme opozitarët thanë se i koordinuan aktivitetet për nesër, por edhe për ditët në vazhdim.

Kryetari i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj ka ftuar koalicionin qeverisës që të heqin dorë nga gjuha e dhunës dhe gjuha kërcënuese. Limaj ka ftuar dy udhëheqësit e Qeverisë që të mësojnë çka është demokracia dhe jo të mbështesin qeverisje e tyre në aparatin e gjuhës së dhunës dhe të heqin dorë nga mashtrimet mbi të cilat i kanë fituar zgjedhjet dhe t’i lënë qytetarët ta shprehin pakënaqësitë e tyre lirshëm.

“Ne dalim me qëndrim të përbashkët se si opozitë e dënojmë gjuhën kërcënuese, gjuhën e frikësimit, gjuhë e cila u përdor dje në Kuvend dhe në Qeveri, nga dy kryeministrat e Kosovës. Një gjuhë e cila i shkon më tepër regjimeve të cilat kanë frikë nga zëri i qytetarëve, dhe jo një qeverisje demokratike, gjuhë e cila dëshiron, sikur që po tenton apo siç i ka kapur institucionet e shtetit, dëshiron ta kap edhe mendjen, shpirtin, zërin e lirë të qytetarëve. Ata nuk mund të thonë mos dilni në protesta se do t’iu arrestojmë që kjo pastaj e shpërfaq komplet mentalitetin e tyre qeverisës, duke mos mundur të dalin në atë frymë, dalin dhe kërcënojnë dhe në fjalorin e tyre ka dhunë, ka vrer, ka nervozizëm, ka frikë, dhe atë frikë dëshirojnë ta bartin tek qytetarët me qëllim që t’i frikësojnë njerëzit dhe të mos iu jepet mundësia për ta shfrytëzuar të drejtën me elementare në demokraci, të drejtën për protestë”, tha Limaj.

Limaj tha se ata kanë bërë disa kërkesa dhe kanë një slogan, por sot në Kosovë ka edhe një milion arsye e motive tjera që njerëzit dëshirojnë të protestojnë. Ndërsa, iu ka bërë thirrje gjithë qytetarëve të Kosovës që t’i bashkohen protestës së nesërme në mënyrë civilizuese, qytetare e paqësore.

Ndërsa, kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, tha se protesta i ka kërkesat e veta që janë në përputhje me vullnetin dhe interesin e qytetarëve dhe kërkesat e qytetarëve janë kërkesa që janë parashtruar nga vetë qytetarët përmes peticioneve dhe formave të tjera të organizimit të qytetarëve në politike.

Sipas tij, këto kërkesa përveç që janë të drejta, janë edhe lehtë të realizueshme dhe janë kërkesa të cilat janë të dobishme për zhvillimin e jetës së në Kosovë, për zhvillimin e një jete demokratike në një vend, në një shtet ku qytetari është edhe burim sovraniteti, por edhe qendra e politik-bërjes dhe e vendimeve politike, të cilat duhet të shkojnë në favor dhe në interes të tij.

“Reagimet e eksponentëve të Qeverisë së Kosovës që i kemi parë gjatë ditëve të fundit janë reagime të cilat flasin për një panik të kësaj qeverie e cila po tregon qartë se i frikësohet qytetarëve të vet. Dhe një qeveri, në një Republikë demokratike që i frikësohet qytetarit, nuk mund të jetë as qeveri e Republikës e as qeveri demokratike. Qeveria do të duhej të ishte një me qytetarin, sepse qeveria e ka për obligim t’i shërbejë qytetarit. Ndërkohë që Qeveria e Republikës së Kosovës, me këto reagimet e veta i kërcënon qytetarët dhe e shpërfaq panikun që e ka nga angazhimi i qytetarëve në vendimmarrjen politike, në këtë rast përmes protestës”, tha Ymeri.

Lideri i VV-së shtoi se kur Qeveria e zapton shtetin dhe nuk lejon që ky shtet të funksionojë në bazë të interesit të qytetarëve, atëherë natyrisht që është obligim i qytetarëve që të angazhohen politikisht për ta çliruar këtë shtet nga zaptimi.

Ndërsa, për shkak të pjesëmarrjes në varrimin e ish komandantit të UÇK-së, Avdullah Babalija, nuk ka marr pjesë në këtë takim lideri i AAK-së Ramush Haradinaj. Por, i pranishëm ishte nënkryetari Ahmet Isufi, i cili ka ftuar të gjithë qytetarët që t’i bashkohen protestës, sepse nëse në institucion siç është Parlamenti nuk lejohet të debatohet për zbritjen e çmimit të rrymës, atëherë e vetmja mundësi për qytetarët është rruga e protestës.

“I ftojmë të gjithë ata 35 mijë qytetarë që kanë nënshkruar peticionin për zbritjen e çmimit të rrymës, të gjithë ata që e kanë parë se drejtësia është e kapur në Kosovë dhe duhet të ç’kapet, sepse pikërisht manipulimi i qeverisë përmes institucioneve të pavarura sidomos të atyre të rendit, ligjit dhe drejtësisë është obligim që të përkrahet protesta që të hiqet dorë nga ndërhyrja në këto institucione”, theksoi Isufi.

Opozita ka organizuar për nesër protestë gjithë-popullore, e cila do të mbahet nga ora 14:00 tek sheshi “Zahir Pajaziti”, e më pas do të marshojnë tek Gjykata Kushtetuese, KEDS-i, RTK-ja dhe në fund tek sheshi “Skënderbeu” para objektit të Qeverisë së Kosovës.

Limaj: Dy kryeministrat po frikësohen nga qytetarët

Përfaqësues të tri partive opozitare në një takim të mbajtur në selinë e Nismës për Kosovën kanë dënuar gjuhën e siç i quajnë ata “dy kryeministrave” Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi.

Opozitarët thanë se gjuha e tyre e përdorur këtyre ditëve tregon se Mustafa dhe Thaçi po i frikësohen zërit të qytetarëve të cilët po kërkojnë ndryshimet dhe ç’kapjen e shtetit.

Kryetari i Nismës Fatmir Limaj tha se kërkesat janë legjitime të cilat po kërkohen nga qytetarët , nga të cilët poi u frikësohet pushteti dhe po përdor gjuhë kërcënuese.

Opozitarët në takimin e mbajtur sot kanë kërkuar pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve dhe njëherit kanë bërë thirrje për një protestë sa më paqësore dhe pa dhunë.

Tri partitë opozitare AAK, Nisma dhe Vetëvendosje për nesër në orën 14 kanë paralajmëruar një protestë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Protesta fillon në orën 14./kp/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat