Një ditë para protestës, Jakup Krasniqi fotografohet me Kadri Veselin

Kosova

Një ditë para protestës, Jakup Krasniqi fotografohet me Kadri Veselin

Më: 17 prill 2015 Në ora: 15:20

Nesër në Prishtinë partitë opozitare do të protestojnë; kundër kapjes së shtetit. E megjithatë, në rivarrimin e 21 martirëve të Çikatovës, një prej drejtuesve të Nismës për Kosovën, Jakup Krasnqi është parë pranë Kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Krasniqi e Limaj dolën nga PDK pikërisht në kohën kur Veseli zyrtarizoi hyrjen në PDK. Madje, në disa prononcime për media, Limaj la të kuptohet se iku nga PDK në masë të madhe për shkak të Veselit.

Fotografitë e Veselit me Krasniqin janë publikuar nga Zyra për Informim e Kuvendit të Kosovës.

“Gjatë ditës mora pjesë në Ceremoninë e rivarrimit të njëzet e një martirëve të fshatit Çikatovë të Drenasit. Pas 16 vitesh ata u kthehen familjarëve dhe atdheut të tyre. Kosova, 16 vite më parë, po përjetonte dramën më të rëndë në historinë e saj, gjenocidin, të cilin përgjatë një shekulli e projektuan qeveritë e ndryshme të nacionalizmit ekstremist serb”, thuhet në komunikatën e Kryeparlamentarit.

“Por, Kosova mbijetoi dhe sot kur jemi të lirë duhet të mos harrojmë për asnjë moment çmimin që është dashur të paguajmë për lirinë tonë. Nderimi më i madh për të rënët tanë është që sot të mos e keqpërdorim lirinë”, përfundon njoftimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat