Rektori paralajmëron ankesë ndaj dënimeve të Inspektoratit të Punës

Kosova

Rektori paralajmëron ankesë ndaj dënimeve të Inspektoratit të Punës

Më: 2 prill 2015 Në ora: 10:43

Përmes një komunikate Zyra për Informim e Universitetit të Prishtinës sqaron opinion se lajmi i publikuar në disa media për dënimin e Universitetit të Prishtinës dhe rektorit të tij nga Inspektorati i Punës është i vërtetë.
Më dt. 31 mars 2015 në Rektorat janë sjellë dy vendime nga Inspektorati i Punës me të cilat shqiptohen dënime në lartësi prej 9,000 eur për institucionin dhe 7,000 eur për rektorin me pretekst se është shkelur Ligji i Punës, pasi rektori, me kërkesë të Inspektoratit të dt. 19 shkurt 2015, nuk e ka anuluar konkursin për angazhim të stafit me honorar në Fakultetin e Mjekësisë të publikuar më 29 shtator 2014.

Në komunikatë më tej theksohet se i gjithë opinioni duhet ta kuptojë se Universiteti i Prishtinës ka 996 mësimdhënës dhe bashkëpunëtorë në marrëdhënie të përhershme pune dhe 827 me honorar, shumica prej të cilëve janë angazhuar pikërisht në bazë të konkurseve të shpallur në shtatorin e vitit të kaluar.

Anulimi i konkursit në Fakultetin e Mjekësisë nënkupton anulimin e konkurseve në të gjitha fakultetet e tjera, pasi janë shpallur dhe menaxhuar me kushte të njëjta, e që ka për pasojë ndërprerjen momentale të mësimit në Universitet.

Angazhimi i stafit me honorar në UP bëhet përmes konkurseve të tilla tani 7 vjet dhe asnjëherë nuk ka ndodhur që Inspektorati të reagojë, e as që ka pasur reagime në rastin e universiteteve të tjera publike ku mësimdhënësit e angazhuar me honorar përbëjnë shumicën dërrmuese të stafit akademik.

Universiteti edhe më herët ka sqaruar opinionin se sivjet ka qenë hera e parë që vendimet për angazhim të stafit me honorar janë shqyrtuar një nga një nga komisioni i veçantë që ka ngritur rektori dhe janë aprovuar, po ashtu, një nga një, nga Senati i Universitetit, për dallim nga vitet e mëhershme kur vendimet janë marrë në nivel të fakulteteve. Po ashtu, në dhjetëra raste rektori i ka nënshkruar kontratat vetëm për semestrin dimëror, pasi kualifikimet e të paraqiturve në konkurs nuk kanë qenë adekuate.

Ndërkaq, me kërkesë të Inspektoratit të Punës i ka anuluar të gjitha kontratat në degët e mamisë dhe Infermierisë të Fakultetit të Mjekësisë, për bartësit e të cilave është konstatuar se nuk i plotësojnë kushtet ligjore për t’u angazhuar në procesin mësimor. Rektori e ka bërë ketë gjithë faktin se ky staf ka qenë i angazhuar edhe në vitet e mëhershme në bazë të një shkrese nga Agjencia e Akreditimit me të cilën është lejuar që në këto dy degë të angazhohet personeli me kualifikime më të ulëta se ato që parasheh Statuti i UP.

Zgjidhja më e lehtë që kanë organet e Universitetit në këtë rast është të ndërpritet mësimi në të gjithë ato programe studimore që janë krijuar dhe, për çudi, janë akredituar, pa pasur fare kuadër akademik të kualifikuar. Këtu nuk bëjnë pjesë vetëm programet e Mamisë dhe Infermierisë për të cilat Inspektorati ka bërë vërejtje, por edhe shumë programe të tjera. Zgjidhja tjetër është që për sigurimin e stafit në këto programe të ndahen fonde shtesë nga Qeveria në mënyrë që të mund të angazhohen mësimdhënës dhe bashkëpunëtorë nga vendet e tjera të Rajonit.

Universiteti i Prishtinës mbetet me shpresë se dënimet e shqiptuara paraqesin një moskuptim të kompleksitetit situatës në të cilën ndodhet Universiteti dhe se vendimet përkatëse do të shfuqizohen me rrugë ligjore. Sidoqoftë, edhe para inspektimit, rektori i UP është zotuar se konkursi për angazhimin e stafit me honorar prej këtij viti do të jetë publik dhe procedura e vendimmarrjes do të jetë plotësisht transparente, - mbyllet komunikata e UP.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat