Selimi priti ambasadoren jorezidente të EBA në Kosovë

Kosova

Selimi priti ambasadoren jorezidente të EBA në Kosovë

Më: 1 prill 2015 Në ora: 21:37

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, priti në një takim pune Shkëlqesinë e Saj, ambasadoren jorezidente të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) në Kosovë, Hafsa Abdulla Mohammed Al Ulama, me të cilën bisedoi për të arriturat e shtetit të Kosovës si dhe për mundësitë për bashkëpunim ekonomik në mes dy vendeve.

Zëvendësministri Selimi e falënderoi ambasadoren Hafsa Abdulla Mohammed Al Ulama për mbështetjen që EBA i kanë dhënë Kosovës si në periudhën e luftës ashtu edhe në fazën e rindërtimit, por edhe tani pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës duke u angazhuar për të siguruar përkrahje për shtetin edhe te vendet që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Selimi njoftoi edhe për shkatërrimin e trashëgimisë islame të periudhës osmane gjatë luftës, për rindërtimin e objekteve fetare por edhe për përpjekjet e Kosovës që të pengojë depërtimin e radikalizmit dhe ekstremizmit fetar në vend.

Zëvendësministri Selimi gjithashtu e njoftoi ambasadoren se Kosova është duke përgatitur projekte për investime në ekonomi, të cilat do t'u prezantohen investitorëve të interesuar nga EBA.

Ambasadorja Hafsa Abdulla Mohammed Al Ulama u shpreh e kënaqur me vizitën e saj në Kosovë si dhe me zhvillimet në vend, e konfirmoi interesimin e investitorëve nga EAB që të investojnë në Kosovë dhe e mirëpriti përkushtimin e autoriteteve të Kosovës për përgatitjen e projekteve konkrete për investime në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat