​AAK: Po tallen me fatin e FAK-ut

Kosova

​AAK: Po tallen me fatin e FAK-ut

Më: 1 prill 2015 Në ora: 17:48

Departamenti për Politika të Mbrojtjes dhe Sigurisë i AAK –së, reagon ashpër ndaj dy deklaratave të dy zyrtarëve të lartë shtetëror, Kosovës dhe Serbisë.

Sipas komunikatës idetë e ministrit të Brendshëm të Serbisë Ivica Daçiq dhe Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, lidhur me të ardhmen e FSK –së, janë të papranueshme.

“Kualiteti i dobët i bisedimeve mes Serbisë dhe Kosovës, njëherësh paaftësia politike për të negociuar "çështjet e panegociueshme", ato substanciale për Kosovën, ka bërë që sot zyrtarë të lartë të Serbisë dhe Kosovës të tallen me fatin e FAK-ut”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës nga Serbia vijnë zëra se për çështjen e FAK-ut duhet të diskutohet në Këshillin e Sigurimit, me qëllim të pengimit dhe zvarritjes së këtij procesi, ndërsa kryeministri pret 2/3 e votave për ta amandamentuar ligjin dhe ndryshimet kushtetuese dhe mosshtrirjen – pamundësinë që FAK-u të operojë edhe në veri të Kosovës.

“Shndërrimi i FSK-së në FAK ka qenë dashtë të bëhet menjëherë pas formimit artificial të qeverisë, pra në muajin e pare qeverisës dhe jo të krijohet vacuum kohor dhe t'iu krijohet hapësirë si brenda ashtu edhe jashtë, serbëve lokalë dhe Serbisë fqinje, që të shfaqë ide në dëm të së ardhmes së FSK-së”, thuhet në komunikatë.

Departamenti për Politika të Mbrojtjes dhe Sigurisë i AAK-së, mendon se kualiteti i i dobët i bisedimeve ka bërë që në shumë fusha të kemi regresion nacional dhe si pasojë e moszgjuarsisë politike, rrjedhimisht mosefekteve strategjike në raport me të ardhmen e FAK-ut, do t’i pamundësohet shtrirja operacionale edhe në veri të Kosovës, në ushtrimin e detyrave ushtarake në ruajtjen e tërësisë së sovranitetit shtetëror të Kosovës./KosovaPress/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat