Godina e Ambasadës së Kosovës në Tiranë, asnjë plan për lëvizje

Kosova

Godina e Ambasadës së Kosovës në Tiranë, asnjë plan për lëvizje

Më: 1 prill 2015 Në ora: 15:29

Megjithëse kohët e fundit në media është diskutuar për një zhvendosje të mundshme të godinës së Ambasadës së Kosovës në Tiranë, për faktin se pronarët e tokës kanë fituar gjyqin, Qeveria Shqiptare nuk ka asnjë plan për ta lëvizur godinën e Ambasadës së Kosovës.

Të paktën për momentin nuk është diskutuar asnjë gjë e tillë. Andaj, godina do të vazhdojë të qëndrojë aty ku është.

Kështu konfirmuan sot burime zyrtare nga Kryeministria në Tiranë, të pyetur nga Kosovapress, të cilat shtuan se edhe në rast se do merret një vendim i tillë në të ardhmen ai sigurisht që do të jetë një Vendim i Këshillit të Ministrave.

Gjithashtu të njëjtën gjë e konfirmoi në një bisedë telefonike edhe i ngarkuari me punë i Ambasadës së Kosovës në Tiranë, Ramiz Lladrovci.

"Nuk na ka ardhur asnjë njoftim për të lëvizur nga godina ku jemi aktualisht dhe nuk besoj se do të lëvizim. Mes nesh dhe qeverisë shqiptare nuk është diskutuar asgjë më shumë se sa është thënë nga kryeministri Rama ditën e mbledhjes së dy qeverive", tha sot Ramiz Lladrovci, i ngarkuar me punë në Ambasadën e Kosovës në Tiranë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u pyet për këtë çështje më 23 mars ditën e mbledhjes së dy qeverive në Tiranë; ku tha se: Nuk është biseduar për këtë çështje gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, por një gjë është e sigurt, sipas tij, që e gjithë kjo situatë nuk rrezikon godinën e Ambasadës së Kosovës.
“Nëse Ambasada do të lëvizë, kjo do të ndodh vetëm për të qenë më mirë," tha Rama.

Aktualisht objektet i Ambasadës së Kosovës në Tiranë ndodhet në një nga zonat më të mira të kryeqytetit, në rrugën Donika Kastrioti, vila nr. 6, 1001.

Kjo godinë i është bërë dhuratë Qeverisë së Kosovës vitin e shpalljes së Pavarësisë nga ish kryeministri i atëhershëm Sali Berisha.

Më herët kjo vilë (godinë) ka qenë e zyrave të OSBE-së në Tiranë. Por trualli (toka) ku ndodhet sot Ambasada ka probleme pronësie.

Gjykata e Rrethit të Tiranës, në vitin 2012, me një vendim të sajin, i ka kthyer pronën që është aktualisht Ambasada, pronarëve legjitimë të saj, por selia diplomatike vazhdon të ushtrojë aktivitetin e saj po aty.

Megjithatë nuk përjashtohet edhe mundësia e kompensimit financiar të pronarit, dhe Ambasada të vijojë të qëndrojë në vendin ku ndodhet aktualisht. /KP/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat