Njerëzit me maska të pandalshëm. Kush duhet të sfidohet me ta, rojtarët apo shteti?!

Kosova

Njerëzit me maska të pandalshëm. Kush duhet të sfidohet me ta, rojtarët apo shteti?!

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 1 prill 2015 Në ora: 11:06

Njerëzit me maska, kapadainj të këtij vendi! Kështu lirisht mund të thuhet, pasi hovi i tmerrshëm i tyre nuk ka të ndalur.

Ata jo që po grabisin e plaçkitin, por edhe vrasin secilin që ju del përpara dhe i kundërshton.

Kjo është sfidë për Qeverinë e Kosovës, e sidomos Policinë, por mbi të gjitha, më shumë është sfidë për punëtorët apo rojet e sigurisë, që në momente të tilla për të mbrojtur punën me krenari edhe po vriten.

Eksperti i Sigurisë dhe Inteligjencës, Drizan Shala, thotë se siguria e qytetarit dhe siguria e përgjithshme e tyre është duke çaluar, pasi gati çdo të dytën ditë kemi lajme lidhur me grabitjet e armatosura.

Sipas ekspertit, është duke u krijuar edhe duke u zhvilluar si fenomen mënyra e tillë e grabitjeve në qytetet tona dhe nuk po ndërmerret asnjë masë kundër tyre.

“Unë mendoj që, nuk është duke u bërë shumë në këtë drejtim, sepse mungon një plan nacional për parandalim të dukurive të tilla që mund të implementohet, e jo vetëm plane e strategji që mbesin në sirtarë të institucioneve vendimmarrëse edhe që në praktik nuk praktikohen fare”, thotë Shala për gazetën “Bota sot”.

Lidhur me vrasjet e këtyre ditëve në qytetet tona, e në veçanti të atyre që lidhen me grabitje me arme zjarri është tejet qetësuese për të gjithë, thotë ai, sepse tanimë edhe ata të cilët nuk kanë asnjë mundësi të mbrohen në vendet e tyre të punës po janë pre e sulmeve, sepse me ligje nuk është duke ju lejuar që pjesëtarët e sigurimeve private të kenë armë mbajtje për ta mbrojtur së pari jetën e tyre, e tani edhe pronën për të cilën janë thirrur me detyrë.

Vetëm në dhjet ditët e fundit janë ballafaquar rojet e sigurisë me njerëzit me maska ku njëri nga ta e këta ka humbur jetën si pasoj e plagëve të marra nga armë zjarri.

“Kompanitë e sigurimeve në Kosovë janë duke bërë vazhdimisht kërkesë për tu pajisur me armë zjarri punëtorët e tyre, por deri më tani nga ana e institucioneve të sigurisë, në këtë rast nga MPB-ja pajisen vetëm ata pjesëtar të sigurimeve private që bëjnë bartjen e parave nga banka në bankë, por jo edhe për pjesën tjetër të punonjësve të kompanive të sigurisë”, shton ai.

Shala thekson se, të njëjtën hall e kanë rojet e natës që punojnë në kompani të ndryshme, por e kanë edhe rojet nëpër banka të Kosovës të cilët mund të jenë të atakuar ndaj ndonjë sulmi eventual edhe mënyra për të mbrojtur është minimal apo më mirë të them zero.

Së fundmi njerëzit me maska janë parë duke grabitur një market në Prishtinë, të cilët si nëpër filma aksion kanë hyrë në brendi të marketit dhe kanë marrë një shumë të konsiderueshme të parave.

Po ashtu, njerëzit me maska para disa javëve kanë tentuar të plaçkitin edhe një pompë të benzinës në Prishtinë ku janë konfrontuar me punëtorin e asaj pompe.

Ndërsa një person tjetër ka provuar të kryej grabitje në një nga pikat postare në Gjilan. Por, nuk i kishte shkuar siç ai e kishte paramenduar, pasi punëtorja e lokalit ku ai provoj të kryente grabitjen e ndaloj atë duke i bërë rezistencë edhe pse grabitësi e goditi disa herë atë.

Policia e Kosovës në Prizren ka arrestuar dy të dyshuar për plaçkitje. Sipas policisë dy të dyshuarit të maskuar dhe të armatosur me pistoletë, më 24 mars, rreth orës 19:55, në hyrje të autostradës nga drejtimi i veriut, me dhunë kanë ndaluar një automjet të llojit “Pikap” i cili po barte ilaçe dhe fizikisht e kishin sulmuar shoferin të cilin e kishin larguar nga timoni me ç’ rast ia grabisin makinën dhe ikin në drejtim të panjohur.

Prandaj kërkojmë që të krijohet një task force special në kuadër të MPB-së edhe Policisë së Kosovës për ta ndalur këtë trend në rritje që është.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat