FAK-u nuk shkon në veri pa një marrëveshje me NATO-n

Kosova

FAK-u nuk shkon në veri pa një marrëveshje me NATO-n

Më: 1 prill 2015 Në ora: 10:56

Forcat e Armatosura të Kosovës nuk do të shkojnë në veri të vendit, edhe pas formimit të tyre. Kjo, pasi që ekziston marrëveshja mes Qeverisë së Kosovës dhe NATO-s, që ushtria e Kosovës të mos shkelë në atë pjesë pa marrëveshje me Aleancën Veriatlantike. Këtë e konfirmoi kryeministri i Kosovës Isa Mustafa në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, në të cilën foli gjerë e gjatë edhe për njëqind ditët e para të punës së Qeverisë që ai drejton.

Kryeministri Mustafa tha se projektligji për themelimin e Forcave të Armatosura tashmë është përgatitur, por janë duke u pritur ndryshimet kushtetuese në mënyrë që ai të procedohet për miratim.

Ai tha se janë duke biseduar edhe me komunitetet, sidomos me Listën Serbe, për t’i siguruar votat, meqë për ndryshime kushtetuese duhen 2/3 e votave të shumicës parlamentare dhe komuniteteve. Por, tha Mustafa, FAK-u nuk do të shkojë në veri pa marrëveshje me NATO-në.

“Është e saktë se është një pajtueshmëri me Aleancën Veriatlantike që në Veri të vendit të mos shkohet pa marrëveshje me ta. Kjo është marrëveshja, që nuk duhet të shkohet, por në çdo rast që duhet të shkohet duhet që kjo shkuarje të koordinohet me NATO-n. Mua me është thënë edhe në selinë e NATO-së kur kam qenë në takim me sekretarin e NATO-së që kjo ka qenë marrëveshja dhe asaj duhet t’i përmbahemi, mirëpo NATO nuk ka asgjë kundër që ne t’i themelojmë, por që themelimi të bëhet në harmoni dhe me pajtueshmërinë e të gjithëve”, tha Mustafa.

Ai tha se janë përmendur edhe opsionet që themelimi i FAK-ut dhe themelimi i Gjykatës Speciale të futën në një pako, por që kanë vendosur që të shkojnë ndaras, sepse janë dy çështje të ndara.

Kreu i ekzekutivit në konferencë për media foli edhe për punën e Qeverisë që ai drejton në këto njëqind ditë. Mustafa tha se qëllimi i tyre ka qenë qeverisja e mirë, efektive dhe e përgjegjshme, me të cilën kanë arritur ta forcojnë besimin e qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës se mund ta ndërtojnë një shtet demokrati, të lirë dhe të pavarur.

“Qëllimi është që përmes realizimit të programit të ndërtojmë një Kosovë demokratike në të cilën sundon ligji, ku respektohen të drejtat e çdo njeriut pa dallim dhe një qeverisje e cila promovon zhvillimin ekonomik, e cila promovon mirëqenien sociale dhe ekonominë e tregut. Po ashtu dua të nënvizoj se ne kemi filluar mandatin në një gjendje mjaftë të rëndë e cila është karakterizuar kryesisht me hendekun e moskonstituimin e institucioneve për gjashtë muaj, me fillimin e grevave të punonjësve të arsimit, shëndetësisë dhe gjyqtarëve... Me protestat e organizuara nga opozita në disa qytete dhe në Prishtinë që kanë eskaluar në protesta të dhunshme, me ballafaqimin e shkuarjes se kombinati Trepça në likuidim dhe me grevat e minatorëve, si dhe me fluksin e migrimit në dy muajt e parë të këtij vitit tepër të madh, që akoma ka mbetur i pashpjegueshëm i faktorëve që kanë ndikuar”, theksoi ai.

Por, kreu i Qeverisë Mustafa ua bëri me dije opozitës se nuk do të lejojnë që gurët të lëndojnë policët dhe që gurët të jenë mjet, instrument për ardhje në pushtet./kp/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat