Veseli kërkon njohjen e Kosovës nga Izraeli

Kosova

Veseli kërkon njohjen e Kosovës nga Izraeli

Më: 1 prill 2015 Në ora: 10:36

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli sot ka zhvillua një takim me ambasadorin e Izraelit në Beograd, z. Yossef Levy.

“Ambasadori më përcolli interesimin e vazhdueshëm të qeverisë së tij për zhvillimet në Kosovë.
Ndërkaq, Unë, nga ana ime, potencova nevojën që përveç bashkëpunimit në mes dy vendeve tona, në nivele të ndryshme, Izraeli të lëvizë drejt njohjes së shtetit të Kosovës”, është shprehur Kadri Veseli.

Sipas tij, përkundër opinionit se ende nuk janë pjekur rrethanat për njohjen nga Izraeli, është e qartë se njohja e Pavarësisë së Kosovës nuk ka asnjë efekt negativ në interesat gjeopolitike të Izraelit.

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka njoftuar përmes rrjetit Facebook se sot së bashku me ambasadorin izraelit Yossef Levy kanë vizituar memorialin e vendosur në vendin ku dikur ka qenë sinagoga e Prishtinës.

“Para takimit me ambasadorin izraelit Yossef Levy, së bashku me të vizituam memorialin e vendosur në vendin ku dikur ka qenë sinagoga e Prishtinës.

Në memorien kolektive të Prishtinës ne shohim se hebrenjtë kanë qenë një komunitet i nderuar dhe i respektuar. Sot, këtë trashëgimi është duke e kultivuar Bashkësia hebreje e Kosovës.

Sinagoga hebreje e cila ka qenë në vendin ku është hyrja e Kuvendit, xhamia në vendin ku sot është Teatri kombëtar, Kisha katolike në vendin përballë hotelit Grand, kanë përbërë koloritin shumë fetar të Prishtinës, e të cilat u shkatërruan nga brutaliteti komunist jugosllav.

Të vendosura afër njëra tjetrës, këta tre tempuj shprehnin në mënyrën më të mirë shpirtin e tolerancës fetare të Prishtinës dhe gjithë shqiptarëve në përgjithësi”, ka shkruar Veseli në Facebook. Bota sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat