Pacolli: Më larguan nga Presidenca, çmimin po e paguan qytetari, e jo unë

Kosova

Pacolli: Më larguan nga Presidenca, çmimin po e paguan qytetari, e jo unë

Më: 31 mars 2015 Në ora: 20:59

Presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR) dhe ish-Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli përmes një postimi në rrjetin social, Facebook ka thënë se me largimin nga pozita e të parit të vendit, nuk pagoi kurrfarë çmimi, por atë e pagoi qytetari dhe Kosova. Pacolli madje thotë se ndërprerja e ushtrimit të detyrës së Presidentit, nuk i ishte diçka e rëndësishme. "Me largimin nga Presidenca, unë s’pagova kurrfarë çmimi, por atë e pagoi qytetari dhe Kosova. Jemi në situatën kur vërtet s’ka zot shtëpie dhe unë u përpoqa shumë që ta bëja të zotin e shtëpisë ashtu si duhet të jetë kryetari i shtetit dhe për më shumë kryetari i një shteti të vogël dhe të ri", ka shkruar Pacolli në Facebook.

Ky është postimi i plotë i Pacolliit:

Një rrugë magjistrale që filloi të ndriçoi.

Sado që mundohem të ndriçoj ata që ende s’e dinë, ata që s’duan ta dinë se çfarë kam bërë, apo që mund të bëja në role të caktuara, detyra ime mbetet e vështirë. Prapë kam ende bukur punë për të bërë. Dhe unë s’lodhem. Kjo mbase është dialektika e demokracisë, dialektika e dialogut me qytetarët dhe unë s’do lodhem kurrë.

E bëj këtë hyrje për përkujtuar se 4 vjet më parë u ndërpre në mënyrë jokushtetuese mandati im si kryetar i Kosovës. Që mandati im u ndërpre në mënyrë antikushtetuese e ka thënë vetë Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, i cili pohoi shumë vonë se askush nuk i kërkoi Behgjet Pacollit të largohej. Ani, truket provinciale që pengojnë Kosovën të bëhet shtet, s’mund të jenë truke të mëdha, dhe ato si zakonisht janë jetëshkurtëra.

Kjo ndërprerje nuk ishte diçka e rëndësishme për jetën time që ashtu kështu ka qenë dhe mbetet bukur e plotë me suksese, arritje botërore, nderime të botës, të Shqipërisë, dhe begati personale dhe familjare. Ndërprerja e mandatit tim siç e treguan zhvillimet e 4 vjetëve ishte shmangie nga një rrugë magjistrale që unë nisa ta projektoja, ta hapja, ta ndërtoja sipas modeleve më të mira botërore. Ndaj dhe sot e ndiej të nevojshme të sqaroj këtë moment kruçial dhe të bëj njëlloj bilanci. E bëj këtë pse ata që duartrokitën largimin tim, që u përpoqën për largimin tim, patën rastin, por nuk treguan se dinin të bënin apo se bënë më shumë se sa dija apo se bëra unë. Dhe kam disa dëshmi mu për këtë. Po i gjej dëshmitë e punëve të mira duke nisur nga 35 ditët e presidencës sime, që ishin aq shumë intensive, aq shumë parathënëse të proceseve të rëndësishme që u ndërprenë, sa besoj do të flitet shumë gjatë për to.

Me largimin nga Presidenca, unë s’pagova kurrfarë çmimi, por atë e pagoi qytetari dhe Kosova. Jemi në situatën kur vërtet s’ka zot shtëpie dhe unë u përpoqa shumë që ta bëja të zotin e shtëpisë ashtu si duhet të jetë kryetari i shtetit dhe për më shumë kryetari i një shteti të vogël dhe të ri. I prita të gjithë, i dëgjova të gjithë, inkurajova zgjidhje pajtuese për të gjithë palët. Edhe ata që më votuan kundër, apo patën frikë se njerëzit e vet do më votonin mua.

E rrita imazhin ndërkombëtar të Kosovës: solla personalitete të mëdha të politikës botërore, të sportit botëror, u ftova nga presidentët e Italisë, Francës, kisha ftesa për vizita të nivelit të lartë në Hollandë, Gjermani, SHBA, vende afrikane, etj. Kisha shumë ftesa nga presidentë të ndryshëm dhe prej asaj pozite, procesi i njohjeve të shtetësisë së Kosovës do të përshpejtohej. Ku është sot ky proces, me largimin tim?

Unë nisa të jetësoja ndoshta procesin më të madh historik të kombit shqiptar në shekullin e 21-të, afrimin e dy pjesëve të kombit në një projekt institucional, që Arben Xhaferi e ka quajtur Komunuelth Kombëtar. Ishte martesa e ideve të iluminizmit intelektual me vizionin ekonomik global, që do ta nxirrte anijen shqiptare në një liman të qetë dhe të sigurt. E kisha parathënë më parë si ndërmarrës me themelimin e Unionit të Ndërmarrësve shqiptarë në botë; me krijimin e Fondacionit për zhvillimin ekonomik të Europës Juglindore, dhe e potencova si President në Parlamentin e Shqipërisë. Thashë qartë, pa komplekse dhe ndoshta e pagova mu për këtë me largimin tim nga detyra: duhen institucione të përbashkëta kombëtare për ekonominë, arësimin, kulturën, për drejtësinë! Qeveritë duhet të takohen periodikisht sipas modelit frankogjerman, atij të Bashkimit Europian apo nordik. Dhe nuk thashë vetëm diçka që u duartrokit nga dy krahët e politikës shqiptare si kurrë më parë: unë kam paraqitur projekte konkrete për Tregun Energjitik Kombëtar, për heqjen e barrierave doganore dhe të çdo natyre për qarkullimin e mallrave, njerëzve, kapitaleve; për vitalizimin e Rrugës së Kombit; për realitete të reja hekurudhore, ajrore, për kompani të përbashkët të sigurimeve shëndetësore, për spitale të përbashkëta, etj, etj.

Kjo qasja ime nuk ishte ngushtësisht kombëtare, ngushtësisht nacionaliste dhe unë s’kam kurrfarë kompleksi ta potencoj këtë.Unë jam kozmopolit, jam njeri i botës. Unë kam qasje globale që më vjen prej biznesit. Kam mbështetur bashkëpunimin rajonal që në kohëra më të hershme. Menjëherë pas konfliktit në Kosovë, në bashkëpunim me ekspertë amerikanë themeluam SEED, fondacionin për bashkëpunimin ekonomik në rajon, që e shihte ilaçin për problemet etnike tek nxitja e bashkëpunimit. A nuk është procesi i Berlinit sipas kësaj filozofie që unë mbështeta me strategjistët më të mëdhenj të botës në SHBA? A nuk ishte ky proces afrimi rajonal që solli njeriun që dikur ishte veshur me rroba ushtarake për të “çliruar Kosovën”, Ivica Daçiq? A nuk ishin këto procese të parapara prej meje, kur unë thoja se do bisedojmë në Prishtinë ose në Beograd me njeri tjetrin?
Unë e dija si një leksion të globalizmit se me hapjen e kufijve, të mëdhenjtë forcohen akoma më shumë, ndërsa të vegjlit humbin lojën. Ndaj edhe si President bisedova me homologun maqedonas për heqjen e barrierave të gjithfarshme midis dy vendeve tona.

Në fund të fundit nga heqja e barrierave në Ballkan, do të fitonin megjithatë shqiptarët. Kur barrierat janë hequr midis shqiptarëve si ka ndodhur në sport, shqiptarët kanë prodhuar realitete, ekipe konkurenciale me këdo në Ballkan dhe kështu mund të ndodhë dhe në ekonomi. Por kujdes: elitat tona ekonomike duhet ta kuptojnë se duhet të pajtohen mes vedi sipas një filozofie të përbashkët. Ato duhet të heqin dorë nga interesat afatshkurtër që e lidhin Kosovën me vende të caktuara të rajonit si Serbia, Maqedonia, apo ndonjë vend tjetër. Duhet të punojnë për bashkimin ekonomik: ai prodhon fryte afatgjata për një hapësirë kombëtare të begatshme. Ne jetojmë mbi pasuri të mëdha natyrore dhe jemi më të varfërit e Europës. Pse? Sepse s’kemi elita politike të ndërgjegjshme për fatin historik të kombit, ne s’kemi elitë me vizion për të ardhmen tonë të përbashkët.
Sot ata që duartrokitën për largimin tim, duke thënë njëmijë e një të zeza për mua, s’janë duke prodhuar kurrgjë më të mirë, madje janë duke bllokuar ato programe, ato projekte që ne nisëm për zonat e lira ekonomike, për menagjimin publik të Trepçës, për platformat agroushqimore, etj, etj.

Unë ika nga detyra e Presidentit, diçka që për mua përfaqësonte thjesht një mundësi për shërbim cilësor ndaj vendit, duke vendosur kushte jo egoiste, por një platformë për zhbllokimin e politikës. Kërkova reformë zgjedhore, reformë kushtetuese, dhe zgjedhje të presidentit nga populli, reforma që u garantuan në letër dhe para kamerave nga ambasadori i SHBA-së dhe dy bashkëdrejtuesit e qeverisë sot, Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi. Ku jemi sot me këto reforma? A mendon kush se mund të gënjejë qytetarin? Çfarë i dhanë në këmbim qytetarit? Krizën, eksodin, stanjacionin, rrenën?

Idetë dhe projektet e mia politike dhe ekonomike janë të dokumentuara. Janë aty. Po të duan t’i implementojnë me apo ndihmën time, unë do duartrokas këdo.

Për të lidhur dy destinacione ka lloj lloj rrugësh. Ato ide, ato projekte që kam realizuar apo mbështetur janë rruga magjistrale për zhvillim. Rrugët e tjera janë siç u provua janë rrugë qorre, rrugë këmbësorësh, improvizime që s’po dihet ku do na qojnë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat