​Deri tash janë kompensuar 354 të burgosur politik

Kosova

​Deri tash janë kompensuar 354 të burgosur politik

Më: 31 mars 2015 Në ora: 16:37

354 ish të dënuarve dhe të përndjekurve politik u janë kompensuar me mjete financiare sipas ligjit për ish të dënuarit dhe të përndjekurit politik nga viti 1913 e këndej. Vetëm vitin e kaluar janë kompensuar 2019 persona nga 5 milionë euro që kishte ndarë Qeveria e kaluar, derisa për tre muajt e parë të këtij viti janë kompensuar 135 persona.

Në një intervistë për KosovaPress, sekretari i Komisionit Qeveritar për njohjen e statusit të ish të përndjekurve politik, Shefik Sadiku, thotë se ligji është duke u zbatuar plotësisht dhe se janë duke punuar intensivisht për kompensimin e kësaj kategorie.

Sadiku thotë se janë duke i ndarë mjetet për të gjithë ata që i kanë kompletuar dokumentet dhe sipas mjeteve që ndanë Qeveria e Kosovës.

Sadiku: Kompensimi i ish të dënuarve politikë po vazhdon me ritëm të mirë

“Sipas ligjit vitin e kaluar qeveria i ka ndare 5 milionë euro edhe përfitues kanë qenë ose iu ka njohur statusi i të dënuarit ose statusi i ish të dënuar dhe të drejtën për kompensim 219 ish të dënuar. Do të thotë 5 milionë janë rrumbullakuar vitin e kaluar ndërkaq Komisioni ka punuar në mënyrë intensive edhe për këtë vit i ka kompensuar për muajin janar dhe shkurt 3 milionë euro, konkretisht 3 milionë e 43 mijë euro për dy muaj sepse për mars nuk është kompensuar asnjë. Ndërkaq tash për muajin prill kemi përgatitur vendime për kompensime edhe për 2 milionë euro, kështu shkon edhe për muajin prill, maj edhe qershor”, tha Sadiku.

Ai thotë se për këtë vit janë paraparë mbi dhjetë milionë euro për të kompensuar ish të dënuarit politik.

Sadiku: Këtë vit për dy muaj i kompensuam 135 persona

“Për janar dhe shkurt janë kompensuar 135 veta me 3 milionë e 43 mijë euro mjete...Për këtë vit janë parapa nga qeveria 10 milionë e 500 mijë euro. Ne do të thotë këto mjete i realizojmë. Ky proces parashihet me marrëveshje mes qeverisë dhe komisionit për njohjen e statusit të ish të përndjekurve politik të rrumbullakësohet për 5 vite do të thotë duke përfshirë edhe vitin e kaluar”, theksoi ai.

Ligji njeh tri kategori, kategorinë e ish të dënuarve politike të cilëve iu njihet statusi i të përndjekurve politik dhe e drejta në kompensim, të burgosurit deri në 60 ditë përkatësisht 2 muaj dhe kategoria e ish të përndjekurve politik. Dy kategoritë e fundit nuk përfitojnë në kompensim, pos kategorisë së parë. Ndërsa, të drejtë në kompensim kanë 4 mijë e 197 ish të dënuar për të cilët qeveria i ka ndare 55 milionë euro për t’i kompensuar.

Sadiku shton se sipas rregullores së Komisionit, kompensimi është bërë ekskluzivisht për ata ish të dënuar nga viti 1945 e deri në vitin 1979 të cilët janë gjallë, ose kanë bashkëshorten gjallë.

Sadiku: Këtë vit Komisioni do t’i kompensojë ish të dënuarit që janë të vdekur, por i kanë bashkëshortet gjallë

“Shiko si e parasheh rregullorja kompensimi është bërë ekskluzivisht për të dënuarit që kanë qenë 1945 gjalle që kanë qenë deri në 1979. Në të 81-shit pak kemi arritur këtë vit, ndërsa këtë vit komisioni ka marrë një qëndrim ose një vendim për t’i kompensuar ish të dënuarit që janë të vdekur vet, por i kanë bashkëshortët gjallë dhe ato e gëzojnë këtë të drejtë të kompensimit”, theksoi Sadiku.

Ligji parasheh që të drejtën e kompensimit e posedon vetëm njeriu që ka qenë ish i dënuar dhe bashkëshortja e tij dhe ata të cilët i kanë fëmijët student deri në moshën 27 vjeçare ashtu siç e parasheh ligji

Po ashtu komisioni ka paraparë kompensimin edhe ish të dënuarave femra të cilat posedojnë dokumentacionin dhe e vërtetojnë se kanë qenë të dënuara nga ish sistemi.

Sadiku: E drejta në kompensim do t’u njihet edhe femrave

“Për informimin tuaj edhe vitin e kaluar është marr një vendim edhe për femrat që kanë qenë të ndjekura politikisht, komisioni ua ka njohur të drejtën e kompensimit edhe atyre. Numër të saktë nuk kemi, por është një numër i konsiderueshëm janë ato që i kanë pasur dokumentet, ato që si kanë duhet t’i kompletojnë e kështu muaj pas muaji të bëhet kompensimi i tyre dhe të iu njihet e drejta në kompensim”, shtoi ai.

Sekretari i Komisionit Shefik Sadiku thotë se ky është një kontribut që Qeveria e Kosovës ka shprehur gatishmëri që t’ua njoh kësaj kategorie, që është një lloj satisfaksioni, por nuk është dëmshpërblim.

Sadiku: Nuk është dëmshpërblim, por një satisfaksion moral

“Duhet ta kemi të qartë se ky nuk është një dëmshpërblim por është një lloj satisfaksioni që thuhet moral, një të drejt elementare të drejtën e kompensimit që ua njeh...por duhet kuptuar drejt se ky nuk është dëmshpërblim sepse qeveria e Kosovës nuk ka obligim ndaj kësaj kategorie. Nëse vije koha të kërkohet dëmshpërblimin atëherë dihet në ish-Jugosllavi kërkohet në bazë të ligjeve dhe komenteve ndërkombëtare siç parashihet përndryshe Qeveria në forme dhurate i jep kësaj kategorie”, tha Sadiku.

Ndryshe ligji i miratuar nga Qeveria e kaluar, parasheh që për secilin person që ka vuajtur dënim politik me shumë se dy muaj, do t’i kompensohet me 16.70 euro për 24 orë qëndrim në burg.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat