Musliu: Në Luginë të Preshevës mund të përsëritet viti 2000

Kosova

Musliu: Në Luginë të Preshevës mund të përsëritet viti 2000

Më: 31 mars 2015 Në ora: 13:52

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Jonuz Musliu, në emisionin “Info-Magazinë” të Radio Dukagjinit ka theksuar se në Luginën e Preshevës është duke u bërë një spastrim në heshtje nga ana e shtetit serb, duke shtuar se ata kanë nevojë që Prishtina dhe Tirana zyrtare t’i mbështesin jo vetëm politikisht, por edhe në aspektin ekonomik.

Ai ka thënë se ndihmat nga dy qeveritë shqiptare të cilat janë ofruar më herët, janë të mirëseardhura. Mirëpo, sipas tij, ato janë të pamjaftueshme, duke shtuar se kanë biseduar me të dy kryeministrat (të Shqipërisë dhe të Kosovës) që për Luginën e Preshevës të ndahen 4-5 milionë euro, gjë e cila nuk do ta dëmtonte buxhetin e asnjërit shtet.

“Duhet të ketë një fond i cili do të ishte në mbështetje për ekonominë e Luginës, si mënyra e vetme që shqiptarët të mos lëvizin nga Lugina e Preshevës.

“Ballafaqohemi me papunësi të madhe, sepse shteti i Serbisë investimet i bën në Nish, në Leskoc etj. Në të kaluarën na kanë spastruar nga këto vendbanime më dhunë, ndërsa sot po na spastrojnë në mënyrë të heshtur”, ka thënë Musliu.

Ai ka sqaruar se shteti i Serbisë po i shlyen shqiptarët nga listat e banorëve të Preshevës, të Bujanovcit dhe të Medvegjës. Kjo dukuri, sipas tij, ka filluar të marrë masa shqetësuese.

“Ne do të organizojmë protesta në Preshevë dhe Bujanoc e do të ankohemi edhe te ndërkombëtarët, sepse kjo po ndodh para hundëve të tyre”, ka thënë Musliu. “E kemi paralajmëruar BE-në dhe ambasadat e akredituara në Beograd se nëse Serbia vazhdon në këtë mënyrë, me spastrim të shqiptarëve nga Lugina e Preshevës, ne do të detyrohemi të marrin masa tjera. Mund të përsëritet viti 2000, ndonëse ne nuk e dëshirojmë aspak një gjë të tillë”.

Muskliu thotë se shqiptaret duhet të mobilizohen dhe të mbrohen, sepse nuk kanë ku të shkojnë.

“Ky është vendi jonë”, thotë Musliu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat