Franca përkrahë procesin integrues të Kosovës në BE

Kosova

Franca përkrahë procesin integrues të Kosovës në BE

Më: 31 mars 2015 Në ora: 13:28

Delegacioni Grupit të Miqësisë së Asamblesë Franceze i cili sot po viziton institucionet e shtetit të Kosovës, ka përmbyllur në Kuvend vizitën në takim me nënkryetarin, Sabri Hamitin dhe deputetë tjerë.

Përfaqësuesja e grupit nga ana franceze, Genevieve Gosselin-Fleur, përmendi se në takimin paraprak ishin takuar me Presidenten Atifete Jahjaga, për t’u angazhuar në mbështetje të Kosovës drejtë liberalizimit të vizave.

Gosselin-Fleur, në orën e fundit të takimeve sa i përket legjislaturës së parë në Kosovë, tha se takimi i fundit ishte frytdhënës sa i përket përcaktimit të tematikave ku do të fillohet shkëmbimi për muajt dhe vjetët në vijim.

“Kemi pasur një takim frytdhënës me kolegët të Grupit të Miqësisë, ku na kanë ndihmuar të përcaktojmë disa tematika ku do të fillojmë të angazhojmë shkëmbimet tona, për muajt dhe vitet në vijim”.

Sa i përket asaj se cili është gjykimi që ka Franca për Kosovën, përfaqësuesja franceze tha se njohja e pavarësisë që në fillim të shpalljes së saj në Kosovë nga Franca tregon edhe rëndësinë dhe ndihmën e saj që ka në ndikimin edhe tek shtetet që s’e kanë njohur.

“Por, Franca mbështet gjithashtu edhe procesin e integrimit Evropian, dhe është një partner shumë aktiv në këtë proces”.

“Këtu gjendet një koleg i imi që është president i delegacionit në Këshill të Evropës, dhe punon shumë me ambasadorin tuaj në vendin tonë në Paris për të ndihmuar me integrimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, tha ajo.

Nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti, tha se tradita e bashkëpunimit të këtyre grupeve në legjislaturat tjera, do të përforcohet në këtë legjislaturë.

“Jemi përpjekur të gjejmë temat themelore që do t’i ngrisim bashkë, që kanë të bëjnë edhe me komunikimet kulturore dhe politike në nivel të popujve dhe në punën e bashkëpunimit në nivel të parlamenteve”.

“Kjo do të jetë edhe nivel bilateral, edhe në ndihmesën që do të japë grupi i miqësisë. Dhe, përmes tij, asambleja franceze në mëtimet politike të integrimeve Evropiane të Kosovës”, theksoi Hamiti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat