“Mungesa e zhvillimit ekonomik po peshon rëndë në jetën e fëmijëve”

Kosova

“Mungesa e zhvillimit ekonomik po peshon rëndë në jetën e fëmijëve”

Më: 31 mars 2015 Në ora: 13:08

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli sot ka marr pjesë në konferencën e organizuar nga UNICEF-i në Kosovë, ku u diskutua për gjendjen e të drejtave të fëmijëve në vendin tonë.

“Fëmijët janë kategoria më e ndjeshme e shoqërisë, prandaj fytyra e vërtetë e një shoqërie shihet pikërisht në mënyrën se si ajo i trajton fëmijët e saj, në çerdhe, familje, shkolla dhe ambientet tjera sociale. Të drejtat e fëmijëve janë kategori kushtetuese në Republikën e Kosovës, dhe ka një mori ligjesh përfshijnë amandamente që u referohen mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve. Ligji për familjen është një prej tyre. Por e tërë kjo gjithsesi është e pamjaftueshme”, tha Veseli.

Ai theksoj se, dokumentet janë letra të pavlerë, nëse gjërat në terren nuk lëvizin. Realiteti konkret, social, në shumë raste, nuk flet me gjuhën e ligjeve.

“Mungesa e zhvillimit ekonomik po peshon rëndë në jetën e fëmijëve kosovarë. Të ardhurat e pakta, papunësia kronike, janë shkaktari kryesor i rënies së standardeve në kujdesin ndaj fëmijëve brenda familjes. Kjo pastaj reflektohet edhe në nivelin e edukimit shkollor dhe kujdesin shëndetësor. Ne nuk guxojmë t'i mbyllim sytë para faktit se janë fëmijë të shumtë në Kosovë që kalojnë një fëmijëri të privuar nga ëndrrat fëmijërore për shkak të varfërisë. Shumë të tjerë janë të detyruar të bëjnë punë të ndryshme për të mbajtur familjet e tyre”, shtoj ai.

Më tej Veseli tha se, pasojat janë afatgjate, sepse një fëmijëri e privuar nënkupton një të ardhme të pasigurtë për familjet dhe vendin në përgjithësi.

“Që nga fillimi i punës time në krye të Kuvendit, kam insistuar në idenë që fokusi ynë kryesor institucional duhet të jetë agjenda ekonomike. Paketa e ligjeve ekonomike duhet rishikuar në mënyrë që zhvillimit ekonomik t'i hiqen barrierat ligjore dhe në këtë mënyrë të stimulohet ky zhvillim. Kjo është rruga e vetme që të ndërtojmë një shoqëri të mirëqenies. Një shoqëri ku fëmijët rriten të lumtur dhe me ndjenjën e krenarisë për prindërit dhe vendin e vet”, tha Kadri Veseli. Bota sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat