UP po mundohet të shlyej borxhet e trashëguara

Kosova

UP po mundohet të shlyej borxhet e trashëguara

Më: 31 mars 2015 Në ora: 10:30

Universiteti i Prishtinës ka shlyer disa nga borxhet e trashëguara nga vitet e mëparshme që ka ndaj Agjencisë së Akreditimit për procesin e akreditimit të programeve.

Drejtues të Universitetit të Prishtinës, thanë për Radio Kosovën, se vitin e kaluar Universiteti i ka shlyer Agjencisë 114 mijë euro për vitin 2013, ndërsa për pjesën tjetër që janë rreth 200 mijë euro, janë duke u shikuar mundësitë që t’i shlyej Ministria e Arsimit. Por, zyrtarë të Ministrisë, thonë se çështja e shlyerjes së borxheve të UP-së nga ana e Ministrisë, nuk është biseduar ende.

Për t’u vlerësuar programet me të cilat ka aplikuar Universiteti i Prishtinës për akreditim dhe riakreditim, ky institucion duhet të shlyej borxhet që ka ndaj Agjencisë së Akreditimit. Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Cilësisë në Agjencinë e Akreditimi, Ferdie Zhushi Etemi, tha për Radio Kosovën, se nuk është bërë ende një agjendë për Universitetin e Prishtinës, për shkak të borxheve që i ka Agjencisë në periudhat e mëhershme.

“Menaxhmenti i kaluar ka paguar disa nga borxhet paraprake që i ka pas dhe tani ka mbetur një borxh, me sa di unë është borxhi i vitit 2012 dhe është borxhi i programeve të fundit në vitin 2014, që janë akredituar dhe riakredituar. Presim një shenjë nga menaxhmenti i UP-së se këto obligime do të përmbushen në mënyrë që të vazhdojmë me vlerësimin e programeve të UP-së”.

Drejtues të Universitetit të Prishtinës, thanë se vitin e kaluar Universiteti i ka shlyer Agjencisë së Akreditimit 114 mijë euro për vitin 2013. Prorektori për buxhet dhe financa në Universitetin e Prishtinës, Arbnor Pajaziti, tha për Radio Kosovën, se një pjesë e borxhit ndaj Agjencisë së Akreditimit ka mbetur nga viti 2013, që janë rreth 200 mijë euro. Ndërsa, borxhi nga viti 2014 është rreth 20 mijë euro.

“Në vitin e kaluar janë paguar 114 mijë euro për vitin 2013, ndërsa, shuma prej 127 mijë eurove është paguar për vitin 2014. Ne kemi paraparë që do të kemi shpenzime të akreditimit edhe për vitin 2015, ku janë paraparë rreth 180 mijë euro. Këtë shumë që e kemi trashëguar si borxh, nuk po mundemi me këtë buxhet që është alokuar për vitin 2015, ta mbulojmë.”

Prorektori Pajaziti, tha se janë duke biseduar me Ministrinë e Arsimit, që të shikohet mundësia e gjetjes së një gjuhe të përbashkët, që shpenzimet e procesit të akreditimit, të barten nga Ministria e Arsimit. Ndërkohë, Ministria e Arsimit, bëri të ditur për Radio Kosovën, se javën e kaluar është njoftuar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim lidhur me obligimet që ka Universiteti i Prishtinës ndaj saj. Zyrtarja për informim në Ministri, Besa Bytyqi, tha se çështja e shlyerjes së borxheve të UP-së nga ana e Ministrisë nuk është biseduar dhe shqyrtuar në takimet e përbashkëta mes ministrit Bajrami dhe menaxhmentit të Universitetit të Prishtinës. Gjithashtu, nuk është diskutuar as mundësia që në të ardhmen MASHT të mbulojë procesin e akreditimit. “Nga ajo që jemi informuar, Agjencia e Akreditimit, i ka ofruar mundësinë menaxhmentit të UP-së që të bëjë shlyerjen e borxhit në këste të ndara”, tha Bytyqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat