Selimi njoftoi delegacionin e Rumanisë për arritjet e Kosovës

Kosova

Selimi njoftoi delegacionin e Rumanisë për arritjet e Kosovës

Më: 30 mars 2015 Në ora: 19:03

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, priti një grup të përbërë nga këshilltarë të lartë politikë, senatorë, gazetarë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile të Rumanisë që po qëndrojnë për vizitë zyrtare në Prishtinë, e të cilët i informoi për të arriturat e Kosovës si dhe sfidat në rrugën drejt BE-së.

Vizita është organizuar në kuadër të projektit KSTalksEU, të mbështetur nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) dhe British Council, që synon rritjen e interaksionit në diplomaci publike me shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën.

Selimi e informoi delegacionin rumun rreth përkushtimit të Kosovës në konsolidimin e shtetndërtimit duke shtuar se Kosova ka ndërtuar një demokraci qytetare, e jo një demokraci etnike, dhe se i gjithë spektri politik mbetet i përkushtuar në forcimin e mëtejmë të përfshirjes së të gjitha komuniteteve në Kosovë, duke shtuar se një gjë e tillë garantohet edhe me kushtetutë.

Ai vuri ne dukje se prioriteti kryesor mbetet integrimi i Kosovës në BE dhe NATO dhe se nënshkrimi i MSA-së do të bëhet brenda këtij viti. Ai shtoi se vendi së shpejti do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe për marrjen e udhërrëfyesit për përfshirje në Partneritin për Paqe të NATO-s. Selimi foli edhe për përkushtimin e Kosovës në avancimin e procesit të dialogut me Serbinë, si dhe për marrëveshjen e 19 prillit 2013, e cila i hapi dyert anëtarësimit të Kosovës në organizma rajonalë dhe ndërkombëtarë.

Zëvendësministri Selimi vlerësoi se vizita e delegacionit gjegjës rumun në Kosovë është e rëndësishme në thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Ai shprehu mirënjohjen ndaj shtetit të Rumanisë e cila, pavarësisht mosnjohjes së deritashme, është treguar konstruktive dhe ka përkrahur anëtarësimin e Kosovës në institucione të ndryshme ndërkombëtare, gjë që lë të shpresohet se edhe njohja e plotë e pavarësisë së Kosovës nga ana e Rumanisë nuk është larg.

Në kuadër të projektit KSTalksEU, gjatë këtij muaji është realizuar një vizitë e një delegacioni të shoqërisë civile të Qipros, ndërsa vitin e shkuar është realizuar vizita e një delegacioni të shoqërisë civile kosovare në Greqi dhe Rumani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat