​Kodi Civil i rëndësishëm për drejtësinë

Kosova

​Kodi Civil i rëndësishëm për drejtësinë

Më: 30 mars 2015 Në ora: 10:38

(e plotësuar) Ka filluar të marrë jetë hartimi i Kodit Civil të Republikës së Kosovës, pas takimit të parë të Komisionit qeveritar për hartimin e këtij kodi.

Rëndësia e hartimit të tij u vlerësua të jetë e një rëndësie të veçantë për vendin dhe qytetarët e saj, e po ashtu në reformimin e sistemit të drejtësisë në vend.

Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, ministria e të cilit është edhe sponsorizues i këtij Kodi ka thënë se në Kosovë ka mbaruar koha kur duhet të ketë vetëm ligje, por tashmë kanë hyrë në fazën në të cilët vendi duhet të ketë ligje të mira e që respektojnë kriteret e Bashkimit Evropian.

“Ne së bashku me partnerët ndërkombëtarë po ndërtojmë një sistem të drejtësisë me ambicie të mëdha me synimin që të përmbushim pritjet e qytetarëve tanë dhe ato të partnerëve ndërkombëtarë, për një sistem që ofron drejtësi për të gjithë që e respektojnë lirinë dhe të drejtat e njeriut dhje që drejtësia përfundon dhe vendosjet në përgjithësi profesionalizëm, paanshmëri dhe guxim. ...Në Kosovë ka mbaruar periudha e nevojës që të kemi vetëm ligje tani fokusohemi që të kemi ligje të mira që respektojnë kriteret dhe standardet e BE-së por njëkohësisht janë funksionale për të gjithë ne”, ka thënë Kuçi.

I pranishëm në këtë komision ishte edhe kryeministri i vendit Isa Mustafa, i cili shprehu përkrahjen e qeverisë në reformimin e sistemit të drejtësisë në vend, në mënyrë që të kemi një sistem të drejtësisë të pavarur dhe efikas. Mustafa tha se sundimi i ligjit është parësor në programin e qeverisë së tij.

“Si qeveri ne mbështesim të gjitha reformat të cilat ndërmerren në reformimin e sistemit gjyqësor, në mënyrë që të kemi një sistem gjyqësor të pavarur, një sistem gjyqësor efikas dhe një sistem kredibil, që garanton sundimin e ligjit që garanton mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe poashtu që garanton që ligje e vendit të jenë në harmoni me ligjet ndërkombëtare”, ka thënë Mustafa.

Ndërsa përfaqësuesi i zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar ka thënë se hartimi i kodit penal në vend tregon për ndikimin në aspekt afatgjatë që do të ketë hartimi i tij në jetën e përditshme të qytetarëve. Zhbogar me këtë rast ka përmendur edhe ndihmës e BE-së në këtë fushë, e cila kap shifrën prej 2 milion eurove.

“BE ka ndarë 2 milion euro për t’iu ndihmuar në zgjidhjen e mospërputhjeve, paqëndrueshmërie dhe për t’i plotësuar zbrazëtirat dhe përfundimisht për të fuqizuar organin e ligjit civil në një dorëshkrim modern. Projekti i udhëhequr nga ministria e drejtësisë duhet që përfundimisht t’i radhis ligjin civil të Kosovës sipas standardeve të Bashkimit Evropian dhe praktikave më të mira, duke e çuar në këtë mënyrë Kosovën shumë më afër BE-së. Prania e kryeministrit Mustafa dhe ministrit Kuçi sot këtu, tregon seriozitetin më të cilin ka filluar ky proces”, ka thënë Zhbogar.

Në anën tjetër kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Enver Peci, ka thënë se hartimi i kodit civil është njëri prej aktiviteteve më të rëndësishme në reformën e përgjithshme që po bëhet në sistemin e drejtësisë në vend.

“Hartimi i kodit civil i cili me siguri do të ndikoj shumë në rend të parë në efikasitetin, transparencë por edhe në kualitetin e vendimeve gjyqësore. Si Këshill Gjyqësor do të japim kontributin në finalizimin e këtij kodi, dhe në vazhdën e reformave gjyqësore dore konsideroj se hartimi i kodit civil është njëra prej aktiviteteve më të rëndësishme prej reformës në përgjithësi”, ka thënë Peci.

Ndryshe ky komision ka filluar të hënën punët për hartimin e Kodit Civil në vend, për çka janë angazhuar ekspert vendor e ndërkombëtar të fushës, ndërsa mbështetja në hartimin e tij do të vije si nga Komisioni Evropian, ashtu edhe Gizi dhe USAID-i.
Themelohet Komisioni për hartimin e Kodit Civil

Ministria e Drejtësisë ka organizuar sot takimin e parë të Komisionit për Hartimin e Kodit Civil të Republikës së Kosovës, ku u tha se kjo është pjesë e arkitekturës së drejtësisë.

Ky takim do të kryesohet nga Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili tha se themelimi i këtij komisioni është pjesë e arkitekturës së drejtësisë, shkruan KP.

Ai tha se është punuar shumë në fushën e drejtësisë dhe se në Kosovë ka kaluar koha kur duhet të ketë ligje, por tash duhet të ketë ligje të mira.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se mbështet të gjitha reformat që duhet të ndërmarrën për të siguruar një gjyqësor të pavarur efikas dhe efecient.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat