Riatdhesimi i emigrantëve, sfidë për Qeverinë

Kosova

Riatdhesimi i emigrantëve, sfidë për Qeverinë

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 30 mars 2015 Në ora: 09:30

Institucionet e Republikës së Kosovës ende nuk e dinë se sa është numri i qytetarëve që kanë migruar ilegalisht në vendet e Bashkimit Evropian.

Megjithatë, ata thonë se nga fillimi i këtij viti, që përfshinë periudhën kohore janar - shkurt dhe mars janë ri-atdhesuar në Kosovë rreth 2679 persona.

Ndërsa, sipas paralajmërimeve fluksi tjetër i qytetarëve nga vendet e Evropës Perëndimore pritet të arrijë më 31 mars dhe 1 prill.

Jahja Lluka, drejtor i departamentit për diasporë në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se Kosova do të ketë shumë probleme sociale pasi të kthehen shumica e atyre që migruan për në vendet evropiane.

“Kosovën e presin ditë të vështira pasi që kthimi i atyre që u shpërngulën kohën e fundit është i pa shmangshëm, me siguri se të gjithë nuk do kthehen, po mjafton trendi që është duke u zhvillu dhe Kosova do të ketë shumë probleme sociale, pasi që, shumica e qytetarëve që do të kthehen do të jenë edhe në situatë më të vështirë se para se të ikshin nga Kosova. Një numër kanë shitur shtëpitë e disa të tjerë kanë huazua mjete financiare. Ndërsa plani i qeverisë fare nuk është marrë me problemin e shpërnguljeve, po as të riatdhesimit të qytetarëve të saj”, thotë Jahja Lluka për gazetën “Bota sot”.

Përfaqësues të Shoqërisë Civile, të cilët monitorojnë procesin e riintegrimit të personave të kthyer në Kosovë, konsiderojnë se zgjidhja e problemeve të personave të riatdhesuar, që muajve të fundit kanë lëshuar Kosovën, duhet të jetë më e qëndrueshme.

Ndryshe, në dhjetor të vitit 2014 dhe në fillim të këtij viti, mijëra qytetarë në mënyrë të paligjshme kanë braktisur Republikën e Kosovës për shkak të, siç thuhet, “një perspektive më të mirë në vendet e Bashkimit Evropian".

Kalimi ilegal është bërë fillimisht duke kaluar në Serbi dhe më pas, kryesisht përmes trafikantëve, duke kaluar në vendin e parë të BE-së, Hungari.

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, ndërkaq, kanë tërhequr vërejtjen se qytetarëve të Kosovës nuk do t’u njihet e drejta e azilit, kurse autoritetet kompetente në Prishtinë, vazhdimisht kanë deklaruar se "numri i madh i azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Evropian, do të vështirësojë edhe më shumë çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat