Përfundon protesta, deri në fund të javës së ardhshme publikohen listat (Foto/Video)

Kosova

Përfundon protesta, deri në fund të javës së ardhshme publikohen listat (Foto/Video)

Më: 30 mars 2015 Në ora: 08:12

(E plotësuar) Tensione e përplasje pati sot në protestën e ish-luftëtarëve të UÇK-së të mbajtur para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, e që nisi në orën 12:00. Duke kërkuar zbardhjen dhe publikimin e listave të veteranëve, protestuesit, të revoltuar, u futën me dhunë në oborrin e qeverisë, qysh në minutat e para të protestës

Plot një orë qëndruan në oborrin e qeverisë, me gjithë thirrjen e prijësit e tyre, Xhevdet Qeriqi, që të lëshojnë oborrin.

Pas më shumë se një orë, përfaqësues të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranëve, Invalidëve, Pjestarëve të UÇK-së, pranuan në takim disa nga protestuesit.

E pas orës 14:00, Qeriqi i shoqëruar nga disa bashkëluftëtarë dolën nga takimi, prej të cilit morën premtimin se publikimi i listave do të bëhet më së largu deri në fund të javës së ardhshme.

Ata i shpërndanë protestuesit, duke iu kërkuar të kenë durim deri javën e ardhshme. Thanë, se nëse prapë nuk publikohen listat , do të vazhdojnë me protesta edhe më të mëdha.

“Nëse nuk dalin listat javën e ardhshme, ne si kryesi e këshillit, do të mbajmë takim dhe do t’i njoftojmë në media për protestën e radhës”, tha Xhevdet Qeriqi.

Qindra protestues u mblodhën fillimisht në sheshin “Zahir Pajaziti” për t’u vendosur më pas para ndërtesës së qeverisë. Duke brohoritur “UÇK, UÇK” ata ia mësynë dyerve të oborrit të qeverisë. Ani pse aty ishte një numër mjaft i madh i Policisë së Kosovës, mes tyre edhe ata të Njësisë Speciale, pas 10 minutash që u mblodhën, protestuesit arritën t’i largojnë rrethojat e oborrit të qeverisë e të futen me dhunë brenda në oborr.

Më tutje, ata u stacionuan në oborr, prej ku edhe nuk donin të lëviznin me asnjë kusht.

Kryetari, Xhevdet Qeriqi ditë më parë pati deklaruar se nuk do të mund t’i kontrollojë protestuesit. Siç ka thënë ai veteranët janë shumë të revoltuar saqë vështirë mund të ndalen.

Ashtu edhe ndodhi. Qeriqi vazhdimisht iu bënte thirrje protestuesve që të dilnin nga oborri e të mbledhshin aty për të pritur thirrjen në takim nga komisioni qeveritar.

Diku pas orës 13:00, Qeriqi mori një telefonatë, ku edhe u ftua nga përfaqësues të komisionit që të futet brenda e të takohet me ta. Përsëri, atij iu desht ca kohë që të arrijë të nxjerrë protestuesit jashtë oborrit.

Në fund, Qeriqi bashkë me disa përfaqësues të zonave arriti të hyjë në takim me përfaqësues të komisioni. Atje i priti Faik Fazliu.

Pas disa minutash ai doli para protestuesve duke iu kërkuar që të shpërndahen, pasi që, siç tha se i kanë premtuar brenda, se listat do të përfundojnë së publikuari më së largu në fund të javës së ardhshme.

“E kemi pasë një takim dhe na kanë njoftua rreth procesit të publikimit të listave. Ata deklaruan dhe premtuan që listat janë të gatshme, kanë mbetë edhe një Brigadë a dy, të dy Zonave të panënshkruara, mirëpo ata po besojnë që do të publikohen këtë javë. Mirëpo kërkuan nga ne që së paku deri në javën tjetër, t’i presim sepse thanë që ka mundësi të ketë një defekt, mirëpo javën tjetër e kanë të garantuar që ky proces do të përmbyllet në përgjithësi”, tha ai.

Madje, Qeriqi tha se përfaqësuesit e komisionit iu kanë thënë, që në rast se listat nuk do të publikohen në këtë afat, edhe ata vet do t’iu bashkohen në protestë.

“Ata thanë se nëse nuk publikohen listat, edhe ata vet do të dalin në protestë me ne”, tha ai.

Qeriqi tha se javën tjetër kanë lënë takim me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, ku sipas tij, dot t’i shtrojnë kërkesat e tyre për ndryshimin e ligjit, përkatësisht nenit 16.

E për “fryrjen” e listave, ai tha se është e pamundur që të pastrohen. Veçse, sipas tij, organet ligjvënëse duhet të mirren me këtë çështje.

Qeriqi u zotua se do ta ngrisin zërin për secilin ish-luftëtar që do të mund t’i bëhet ndonjë padrejtësi në këto lista.

Protesta përfundoj rreth orës 14:15. Menjëherë pas takimit, protestuesit morën shpresën se listat do t’i kenë gati në javën që vjen. Por pati edhe nga ata që nuk e besonin një gjë të tillë. Megjithatë, të gjithë u shpërndanë.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut ka monitoruar protestën e sotme. Në një njoftim për media KMDLNJ thuhet se në bisedë me komandantët e Policisë kuptuan se policia nuk kanë plan të arrestojnë asnjërin nga protestuesit dhe referoheshin të gjithë policët që ata protestues që tentojnë të thyejnë kordonin policor të shoqëroheshin tek daljet tjera të oborrit të qeverisë./kp/

Përfundon protesta e veteranëve, listat dalin javën e ardhshme

Ish – luftëtarët Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë ndërprerë protestën pak minuta më parë.

Sipas KMDLNj-së, protesta filloi dhe deri në fund ka qenë e qetë përjashtuar rastin kur u thyen dyert e hyrjes në oborrin qeveritar.

Përfundimi i kësaj proteste erdhi pas një takimi që zhvilluan përfaqësuesit e ish – luftëtarëve të UÇK-së me anëtarët e komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Xhevdet Qeriqi, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtareve të UÇK, pas këtij takimi ka thënë për media se ka marrë premtimin se deri javën e ardhshme do të bëhet publikimi i plotë i listave.

Komisioni pranon në takim veteranët protestues

Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka pranuar në takim disa prej përfaqësuesve të veteranëve.

Në takim është parë të hyjnë kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtareve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi dhe rreth 7 persona të tjerë të cilët ishin të pranishëm në protestë. /KP/

Veteranët hyjnë me forcë në Qeveri, kërkojnë takim me zyrtarët

Xhevdet Qeriqi vazhdimisht po bën thirrje protestuesve veteranë që të dalin nga oborri i Qeverisë në mënyrë që të ulen para objektit dhe të presin një përfaqësues nga Komisioni për verifikim mirëpo thirrjes së tij nuk po i binden protestuesit.

Ata po vazhdojnë të qëndrojnë brenda oborrit të Qeverisë së Kosovës ku kanë hyrë disa minuta më herët.

Qeriqi po ashtu bën me dije se ka kërkuar takim me përfaqësuesit e Komisionit por që deri më tani nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Qeriqi bën thirrje për protestë të qetë

Kryetari i Këshillit për të Drejtat e Luftëtarëve të UÇK-së Xhevdet Qeriqi vazhdimisht po bën thirrje që mos të përdoret dhuna nga ana e protestuesve veteranë.

Sipas tij protestuesit nuk kanë nevojë të përleshen me policinë sepse siq ka thënë ai këtu kanë dalë për t’i kërkuar të drejtat e tyre e që janë publikimi i të gjitha listave.

Momentalisht protestuesit gjenden brenda oborrit të Qeverisë së Kosovës pasi që menjëherë pas fillimit të protestës ia kanë dalë t’i kalojnë me dhunë rrethojat e ndërtesës.

Para Qeverisë ka forca të mëdha të Policisë.

****************************

Protestuesit po tërhiqen nga oborri i qeverisë, ku ata kishin depërtuar minuta më parë pasi thyen kordonin policor.

Njësia Speciale ka themeluar një kordon para ndërtesës për ndaljen e turmës së veteranëve të cilët po tentojnë vazhdimisht që të futen në ndërtesën e Qeverisë.

Veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë thyer kordonin e Policisë së Kosovës dhe kanë hyrë brenda oborrit të Qeverisë. Ata thanë se nuk kanë për qëllim të përleshen me policinë, por po kërkojnë të drejtat që iu takojnë.

Veteranët e luftës po protestojnë kundër zvarritjes së publikimit të listave të veteranëve të UÇK-së dhe kundër themelimit të Gjykatës Speciale.

Qindra veteranë po protestojnë para Qeverisë

Qindra veteran të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë mbledhur para Qeverisë së Kosovës, të cilët po protestojnë kundër zvarritjes së publikimit të listave të veteranëve të UÇK-së dhe kundër themelimit të Gjykatës Speciale.

Ata po brohorisin “UÇK, UÇK”, “Me hajna nuk ka shtet”.

Përfaqësues të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së po kërkojnë që çështja e veteranëve të rregullohet me ligj./BS/

****************************

Dhjetëra veteranë të UÇK-së janë mbledhur në sheshin “Zahir Pajaziti” për tu nisur në drejtim të Qeverisë së Republikës së Kosovës duke kërkuar publikimin e listave të veteraneve. Ndryshe kjo protestë është thirrur nga kryetari i këshillit të veteranëve Xhevdet Qeriqi.

Në këto momente protestuesit janë duke pritur të rritet numri i veteranëve dhe të nisen drejt Qeverisë.

Gjithashtu është paralajmëruar se kërkesë shtesë e kësaj proteste do të jetë edhe kundërshtimi i krijimit të Gjykatës Speciale.

Sot protestojnë veteranët e UÇK-së

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, ka vendosur që sot, e hënë, duke filluar nga ora 12:00 të mbajnë një demonstratë kundër zvarritjes së publikimit të listave të veteranëve të UÇK-së dhe kundër themelimit të Gjykatës Speciale.

Ata kanë njoftuar ditë më parë se protesta do të fillojë në sheshin “Zahir Pajaziti”, dhe do të vazhdojë drejtë ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Ata kur paralajmëruan protestën thanë se nuk marrin përgjegjësi për ato që mund të ndodhin.

Madje sipas tyre, çfarëdo që ndodh sot, përgjegjësinë e mbanë Komisioni dhe Qeveria e Kosovës, që sipas tyre, po e zvarrisin këtë proces.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat