​“Karamelet” mund ta qojnë PDK-në drejtë çarjes

Kosova

​“Karamelet” mund ta qojnë PDK-në drejtë çarjes

Më: 29 mars 2015 Në ora: 13:30

Deklaratat e fundit në mes të zëvendëskryetarit të PDK-së Kadri Veseli dhe anëtarit të kryesisë Bajram Rexhepi, janë disa nga shkëndijat e para që brenda subjektit më të madh politik në vend, mund të ketë filluar një plasaritje e re.

Edhe pse pakënaqësitë e Rexhepit karshi Veselit, që dikur e konsideronte si një prurje të rëndësishme brenda PDK-së, po bëhen në kohën kur ai nuk ka ndonjë post institucional, analistët në vend vlerësojnë se deklaratat e fundit mes dy bashkëpartiakëve mund të qojnë këtë subjekt politik drejtë ndarjes.

Analisti politik Artan Muhaxhiri në një prononcim dhënë KosovaPress-it, ka thënë se deklaratat e Rexhepit karshi Veselit, kanë qenë të papritura dhe të ashpra, pasi që deri më tani ai nuk ka folur kaq ashpër dhe hapur për strukturat e SHIK-ut.

Sipas Muhaxhirit, përfaqësuesit politik duhet të kenë guxim politik dhe qytetarë që nëse kanë pakënaqësi të caktuara t’i shprehin qëndrimet e tyre derisa kanë poste publike e jo atëherë kur mbesin jashtë këtyre pozitave.

“Në fakt ka qenë e papritur edhe e ashpër deklarata e ish-kryeministrit dhe ish-ministrit Bajram Rexhepi sepse deri më tash ai nuk ka pas qëndrime të tilla dhe është hera e parë që në mënyrë kaq të ashpër reagon ndaj një çështje e cila sipas tij është problematike edhe është shumë e vështirë për Kosovë. Në fakt është paksa e çuditshme se edhe në rastet tjera siç është rasti me zotërinë Limaj apo Jakup Krasniqi, deklaratat kundër SHIK-ut dhe kundër padrejtësive për të cilat është fajtore PDK bëhet nga njerëz të PDK-së të cilët mbesin pa poste. Mendoj që do të ishte një guxim politik por edhe qytetarë që këto pakënaqësi edhe këto vërejtje këta politikan t’i paraqesin derisa janë pjesë e strukturave udhëheqëse e derisa kanë poste të larta, e jo kur vendosin që të largohen apo kur më nuk janë”, ka thënë Muhaxhiri.

Sipas tij çarja e mundshme brenda PDK-së mund të ndodh varësisht prej peshës që ka deklarata e Rexhepit dhe përkrahjes që ajo mund të ketë brenda subjektit politik që ai përfaqëson.

“Deri më tash nuk ka pas ndonjë deklaratë tjetër e cila do të përkrahte zotëri Rexhepin, nëse ai mbetet i vetëm atëherë do të jetë vetëm një i rast i izoluar,mirëpo nëse në fakt ka pjesëtar të tjetër të PDK-së që do të merren me këtë çështje atëherë mund të vije te një çarje brenda PDK-së, siç ka ndodhur ta zëmë edhe me LDK-në”, ka thënë Muhaxhiri.

Në anën tjetër politologu Behlul Beqaj, vlerëson se debati për SHIK-un nuk e ka dimensionin e tij të vërtet pasi që ai po hapet për shkaqe personale e jo për nevoja të interesit publik.

Sipas tij Bajram Rexhepi duke heshtur për 15 vite me radhë sa ka qenë në krye të pozitave shtetërore, dhe deklarimi i tij tani e zbeh besueshmërinë për atë se çfarë ka qenë roli i SHIK-ut dhe domethënia e tij, pasi që tashmë kjo teme po hapet nga njerëz të cilët kanë mbetur pa privilegje të cilat i kanë pasur.

Beqaj, vlerëson se ka nevojë për rishikime brenda partisë, pasi që deklaratë e njërit prej figurave tashmë qendrore të partisë, dhe të atij që dikur ishte në mesin e “yjeve” siç i ka quajtur Beqaj, tregojnë se diçka brenda PDK-së nuk është në rregull.

“Indikator serioz i cili flet për nevojë që të ketë rishikime brenda partisë për faktin se mos të harrojmë Bajram Rexhepi ka qenë kryeministër i parë dhe ka qenë nënkryetar e ndoshta është prapë nënkryetar, dhe ai paralajmëroj largimin me një kusht. Fakti që ka vënë kushte, derisa ka funksionuar pa kushte deri më tashti, tregon që diçka nuk është brenda partisë në rregull dhe brenda raporteve që janë krijuar në parti. Kjo është shqetësuese meqë tregon se çështjet personale po ngritën në nivelin e interesit publik... Unë mendoj që duhet të ketë vlerësim objektiv pse disa njerëz që kanë qenë periferik kanë arritur të bëhen” yje”, derisa të tjerët që kanë qenë figura kyçe të partisë, kanë filluar të lihen anash”, ka thënë Beqaj.

Ndërsa në PDK nuk kanë dashur të komentojnë deklaratë në mes të Rexhepit dhe Veselit. Sekretari organizativ i PDK-së Basri Musmurati për KosovaPress përmes telefonit ka thënë se PDK nuk komenton deklaratë e askujt.

Ditë më parë ish-ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi, kishte deklaruar se nuk do të jetë në strukturat e PDK-së në momentin që Hashim Thaçi nuk do të jetë kryetar i saj, meqë nuk pranon asnjë kryetar tjetër, madje as Kadri Veselin.

Derisa Veseli të hënën duke iu përgjigjur këtyre deklaratave tha se nuk ka më karramela që t’i jap askujt./kp/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat