Emisioni i RTK-së për Down Syndrome mblodhi 35 mije euro

Kosova

Emisioni i RTK-së për Down Syndrome mblodhi 35 mije euro

Më: 29 mars 2015 Në ora: 08:27

Gjatë mbrëmjes së bamirësisë, të organizuar nga Down Syndrome Kosova, e cila u mbajt më datë 19 Mars 2015, në Swiss Diamond Hotel, pjesëmarrësit, e po ashtu edhe qytetarët e Kosovës dhe të diasporës, dukshëm dhanë kontributin dhe solidaritetin e tyre për këtë komunitet.

Kjo mbrëmje ishte një nismë drejt përmbushjes së qëllimit për mbledhje të fondeve, për ndërtimin e qendrës nacionale, e cila do të ofroj shërbime për komunitetin e prekur me sindromin Down dhe autizëm.

Për projektin e ndërtimin të qendrës, nga shitja e kuponëve, ankandit, thirrjeve telefonike, deri më sot ne fondin e ndërtimit të qendrës janë mbledhur 35.130 Euro. Në këtë vlerë nuk janë të përfshira shërbimet që janë ofruar nga kompanitë për ndërtimin e qendrës si dhe shërbimet për shërbime mjekësore për komunitetin e prekur me sindromin Down .

Drejtoresha Ekzekutive e shoqatës “Down Syndrome Kosova”, Znj. Sebahate Hajdini-Beqiri, pati theksuar se janë të vetëdijshëm që duhet shumë punë për ndërtimin e një qendre për komunitetin dhe se kjo mbrëmje është vetëm nisma e kësaj iniciative. Më tutje, Znj. Hajdini potencoi se fëmijët me sindromin Down kanë të drejtë të trajtohen të barabartë dhe të kenë një jetë më të dinjitetshme dhe nje herit kërkoi përkrahje institucionale per kete projekt.

Një e veçantë e kësaj nisme që vlen të theksohet është se kjo nismë është përkrahur fuqimisht si nga institucionet e vendit, komuniteti i biznesit, qytetarët , artistët e mirënjohur, sponsorët e kësaj mbrëmje, e po ashtu edhe nga një ekip profesional dhe me një ndihmë plotësisht në formë vullnetare, Blerim Emerllahu, Ardiana Gjinolli Ahmeti, Arjeta Gashi, Lindita Daija, Arbenita Mjekiqi, Leonora Shabani, Leart Zeqa me Kompanin Modus Events, Arta Halimi nga agjensioni i marketingut Republika, Blerdi Malushi nga Agjensioni Marketingut Maximus dhe Lirije Morina nga Kompania Princesha. Ky model është një shembull ideal për zhvillimin e kulturës vullnetare, të organizuar në aktivitete për përmirësim e mirëqenies së komunitetit.

Të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve- Presidentja Atifete Jahjaga, përfaqësues të Kuvendit të Republikës së Kosovës, përfaqësues nga Kryeministria, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale z. Arban Abrashi, Kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Shpend Ahmeti, Kryetarja e Komunës së Gjakovës, znj. Mimoza Kusari, Kryetari i Gjilanit z. Lutfi Haziri, Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemail Minxhozi, përfaqësues të ambasadës Norvegjeze, përfaqësues nga komuniteti i biznesit dhe shumë të ftuar të tjerë që në forma të ndryshme dhanë kontributin e tyre për t`ju ndihmuar komunitetit të prekur me sindromin Down.

Mbrëmja u moderua nga moderatori eminent Adi Krasta, me ankand dhe program artistik nga artistët e mirënjohur: Kastriot Tusha, Elizabeta Krasniqi, Liridon Sadriu, Adelina Paloja, Adelina Thaçi, grupi Art Dizajn dhe orkestra me muzikantë të njohur kosovarë, në drejtimin e Blerim Emerllahut. Ndërsa thirrjet telefonike u pranuan nga aktorë të mirënjohur të Kosovës.

Sponsorët kryesor që përkrahën Down Syndrome Kosova ishin: Nikoqiri i shoqatës Down Syndrome Kosova-Swiss Daimond Hotel, Sponzor Medial RTK - që transmetoi drejtpërdrejt programin e mbrëmjes, Vala dhe Telekomi i Kosovës- që ofroi lidhje telefonike falas, Korporata RUGOVE, e cila i ka ofruar mbështetje një vjeçare Shoqatës Down Syndrome Kosova. U falënderuan poashtu: kompania Artist Management, Televizioni AAVision në Shtetet e Bashkuara te Amerikës, Artaria RUBIN, AMM, Xhad Studio , Infinity art, Elegant Shop Rosseti, Norik Uka Fotograf, Kompania Akoma te Isaku, Salloni i Ondulimit AFRO.

Duke marr parasysh periudhën e shkurtër kohore nga data e mbajtjes së mbrëmjes, Down Syndrome Kosova njofton të gjithë qytetarët që deri më tani nuk e kanë kryer pagesën e zotuar, se afati përfundimtar për kryerjen e pagesës është dt.20 Prill 2015. Deri me këtë datë të gjithë ata që kanë premtuar, do të kenë mundësi t`i realizojnë premtimet e tyre. Mbas kësaj date, DSK do të dal, me informata përfundimtare për mjetet e grumbulluara në fondin për ndërtimin e qendrës.

Njëherit “Down Syndrome Kosova” i falënderon te gjithë qytetarët që kontribuuan dhe poashtu i gjithë komuniteti i prekur me sindromin Down u është shumë mirënjohës .

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat