Ambasadori britanik Cliff: Gjykata Speciale çështje e reputacionit të Kosovës

Kosova

Ambasadori britanik Cliff: Gjykata Speciale çështje e reputacionit të Kosovës

Më: 28 mars 2015 Në ora: 12:03

Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ian Cliff, i cili këto ditë do ta përfundojë mandatin e tij katërvjeçar në Kosovë, konsideron se ka shumë politikanë kosovar të cilët janë të vetëdijshëm se sa është i rëndësishëm themelimi i Gjykatës Speciale për Kosovën.

Ai shpreson se, përkundër kundërshtimeve të shumta, dy të tretat e deputetëve do të votojnë për ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat do të mundësojnë themelimin e kësaj gjykate. Gjykata Speciale do të merret me pretendimet nga raporti i Këshillit të Evropës për krimet e luftës të ushtarëve të UÇK-së gjatë luftës së Kosovës, në periudhën nga 1 janari 1998 deri më 31 dhjetor 2000.

“Në pyetje është reputacioni ndërkombëtarë i Kosovës. Ekziston raporti i Dick Marty (ish deputetit të Parlamentit të Këshillit ë Evropës dhe ish prokurorit të shtetit të Zvicrës) tash kemi edhe raportin e Prokurorit Williamson dhe mendoj se do të ishte shumë keq nëse Kuvendi do të ishte kundër kësaj gjykate, posaçërisht për arsyen se atëherë, kjo çështje e trafikimit të organeve dhe gjitha tjerat, do të shkonin në Këshillin e Sigurimit në New York. Aty kemi ndikimin e Rusisë dhe Kinës, të cilat janë kundër pavarësisë së Kosovës, prandaj është shumë më mirë që kjo çështje të trajtohet në Gjykatën Speciale e cila, në fund të fundit, është gjykatë e Kosovës jashtë vendit por kjo është më mirë se sa gjykata e Kombeve të Bashkuara” tha ambasadori Cliff.

Gjykata Speciale do të jetë jashtë Kosovës sepse, siç thekson diplomati britanik, ka shumë njerëz të cilët nuk kanë besim në punën e sistemit të drejtësisë kosovare dhe konsiderojnë se procesi në Kosovë nuk do të ishte i pavarur, i lirë dhe asnjanës.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të themeluar fondin për mbrojtjen e të gjithë atyre të cilët do të akuzohen para Gjykatës Speciale, për ambasadorin Cliff, nuk duket i pazakonshëm. Ai përkujtoi faktin se, gjatë gjykimeve në Tribunalin e Hagës, mbrojtjen e qytetarëve të vet e kishin paguar edhe Serbia, Kroacia dhe Kosova.

- Pa serbët nuk ka institucione të Kosovës

Ambasadori Cliff beson se rasti i shkarkimit të ministrit nga radhët e Listës Serbe, Aleksandar Jabllanoviq, për shkak të deklaratave të tij fyese në Gjakovë dhe lojës së Vetëvendosjes me emocionet e popullatës shqiptare, nuk do të përsëriten, dhe se nuk është në interes të komunitetit serb që ministrat dhe deputetët e tij të jenë jahstë institucioneve.

“Ditë më parë isha në Gorazhdec dhe disa njerëz më thanë: ok, në mandatin e kaluar kishim serbët e Thaçit, ndërsa tash nuk kemi serb fare. Në fund të fundit, ministrat dhe deputetët nuk mund t’i mbrojnë interesat e komunitetit nëse nuk janë prezent. Prandaj, unë mendoj se do të ishte shumë mirë nëse ata kthehen, sepse pa përfaqësuesit e serbëve dhe komuniteteve të tjera, nuk ka institucione kosovare” vlerëson ambasadori Cliff.

Kur bëhet fjalë për dialogun ndërmjetë Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE), diplomati britanik thotë se së pari duhet të merren vesh rreth detajeve të marrëveshjeve të arritura për energjetikën dhe telekomunikacionin, si dhe integrimin e “Mbrojtjes Civile” në veri të Kosovës, pastaj vjen “çështja kryesore e Asociacionit të komunave serbe (AKS)”.

Kjo është çështje kyçe për besimin e komunitetit serb në institucionet kosovare, thotë ambasadori Cliff dhe shton se, duhet të gjendet një zgjidhje e mirë për AKS.

“Kjo nuk do të jetë organizatë jo qeveritare, kjo është e qartë, mirëpo nuk do të jetë as Republikë Serbe, Tirol i Jugut apo Skoci. Ky do të jetë asociacion i disa komunave të cilat kanë interes të përbashkët, mirëpo unë mendoj se kjo rrugë është e qartë, transferimit transparent të parave nga Beogradi për financimin e arsimit, shëndetësisë dhe zhvillimit ekonomik të komunitetit serb”.

- Për Kosovën më e rëndësishme është hapja e vendeve të punës

Ambasadori britanik, Ian Cliff thotë se, kur kishte ardhur në Kosovë para katër viteve, nuk ka mundur as të paramendoj se kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë do të takoheshin shumë herë prandaj, sipas tij, ky është një përparim i jashtëzakonshëm. Gjatë katër viteve të fundit është shënuar një përparim i madh i Kosovës drejt integrimeve evropiane.

“Para katër viteve ishte thënë se, Kosova ndoshta ka perspektivë për në Bashkimin Evropian, mirëpo zotëri Fule ka ardhur këtu dhe ka thënë se Kosova ka mundësi të anëtarësimit dhe kjo është shumë, e rëndësishme” tha Cliff.

Ambasadori nuk mendon se Kosova është larg integrimeve evropiane dhe shpreson se nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet të BE-së dhe Kosovës do të bëhet në gusht. Ai shton se në procesin e integrimeve evropiane është e rëndësishme që të normalizohen marrëdhëniet ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë.

“Ju e dini se ne e kemi përvojën me Qipron prandaj, BE-ja nuk është e gatshme që të pranojë edhe një shtet i cili ka probleme me fqinjin e vet. Kjo edhe është pjesë e Marrëveshjes së Brukselit, që Serbia nuk do të jetë pengesë e procesit integrues të Kosovës dhe se Kosova nuk do të jetë pengesë e procesit të integrimit të Serbisë” rikujton ai.

Sipas tij, tani është më e rëndësishme që të hapen vende të reja pune sepse, çdo vit shtohen nga 25 mijë të rinj të shkolluar të cilët kërkojnë punë. Ambasadori Cliff kujton se papunësia ishte njëra nga arsyet e valës së madhe të migrimit ilegal të qytetarëve të Kosovës në vendet e BE-së dhe se tash, Kosova ka para vetës një detyrë dhe obligim të madh që t’i pranojë mbrapa, të gjithë këta qytetarë.

“Sipas mendimit tim, ishin tri faza. Në fillim kanë shkuar kryesisht pjesëtarët e komunitetit ashkali, pastaj pjesëtarët e papunë të komunitetit shqiptarë, njerëzit e varfër, kurse në fazën e tretë kanë shkuar edhe shumë njerëz që kishin vende të punës, ata të cilët kishin të ardhura personale dhe natyrisht, nëse ata kanë shkuar në Gjermani dhe nëse kemi parasysh se shkalla e papunësisë është 30 – 40 % , njerëzit tjerë i kanë zënë vendet e tyre të punës” thotë Cliff.

- Bosnja dhe Hercegovina duhet t’i afrohet Kosovës

Ian Cliff i cili para se të vinte në Kosovë, gjatë periudhës 2001- 2005 ishte ambasador i Britanisë së Madhe në Bosnje dhe Hercegovinë (B e H), vlerëson se integrimi evropian i këtij vendi po shkon shumë ngadalë dhe porositë se B e H duhet t’i afrohet Kosovës sikurse Serbia.

“Kur ka pasur pranim të vulave të Kosovës nga ana e Serbisë, mendoj se kjo ishte në vitin 2012, unë kam shkuar në Sarajevë ku njoh shumë njerëz në administratë dhe ju kam thënë , nëse Serbia është e gatshme për pranimin e vulave të Kosovës atëherë kjo është shumë e rëndësishme për Bosnjën dhe Hercegovinën. Pas kësaj ka ardhur vendimi nga B e H. Kjo është gjithmonë shumë e komplikuar” thotë diplomati britanik.

Përkundër faktit të njohur se, Bosnja e Hercegovina nuk e njeh Kosovën për shkak të entitetit të Republikës Serbe, ambasadori thekson se është e çuditshme se tregtia ndërmjet të Kosovës dhe B e H, kryesisht bëhet ndërmjet të Kosovës dhe Republikës Serbe dhe jo me Federatën. Po ashtu, problem tjetër i çuditshëm sipas ambasadorit Cliff është edhe fakti se qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë në Serbi me letërnjoftim kosovar por nuk munden në Bosnje dhe Hercegovinë.

Në fund, ai porosit se aktualisht në BE mbretëron një atmosferë kundër zgjerimit të BE-së, mirëpo duhet të ketë shpresë sepse edhe qytetarët e këtij rajoni janë pjesë e Evropës.

“Unë kam shpresë për rajonin, përkundër ekzistimit të problemeve aktuale mirëpo, tek e fundit, është interes i përbashkët i rajonit dhe Evropës që të gjitha shtetet e rajonit të jenë anëtare e Bashkimit Evropian” thotë ambasadori britanik, Ian Cliff.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat