Tregjet nuk i përmbushin standardet elementare për shitje

Kosova

Tregjet nuk i përmbushin standardet elementare për shitje

Më: 28 mars 2015 Në ora: 08:08

Asnjë treg në Prishtinë nuk i përmbush kushtet themelore, higjienike, teknike dhe profesionale sipas standardeve të parapara për tregjet e gjelbra. Madje çmimet ushqimore, sidomos ato të pemëve dhe të perimeve po rriten dita-ditës.

Këtë shqetësim e ka shprehur kryetari i shoqatës për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit Selatin Kaçaniku.
Kaçaniku përmes telefonit ka thënë për KosovaPress se fajet për këtë gjendje e kanë komunat e Kosovës dhe po ashtu niveli i lartë qendror, të cilët e kanë për detyrë që qytetarëve të ua sigurojnë kushtet elementare siç parashihen me standarde për tregjet e gjelbra dhe doracake.

Sipas tij, përjashtim mund të ketë vetëm tregu i mbyllur i cili gjendet në Lagjen Bregu i Diellit.

Njëjtë mendojnë edhe vetë konsumatorët, të cilët përveç se thonë që çmimet janë shumë të larta, po ashtu, ata thonë se tregjet nuk i plotësojnë kushtet higjienike për të bërë shitjen e produkteve ushqimore, pasi që ato nuk janë në ambiente të mbyllura.

Njëri nga ta është edhe Fazli Sylëmuçaj, i cili tha për KosovaPress se çmimet kanë ndryshuar shumë nga viti i kaluar dhe se janë shumë të larta për standardin të cilin e kemi ne. Ai për këtë ia hedhë fajin qeverisë, që nuk po i stimulon prodhuesit vendor.

Sylëmucaj: Duhet të ketë prodhime vendore më shumë

“Ka ndryshim nga viti i kaluar shumë, a për të ardhura tona nuk ka ndryshim hiç, vetëm edhe më keq. E për gjepin tonë janë shumë shtrenjtë çmimet për të ardhurat që i kemi ne, pensionin që e kam unë për shembull. Fajet i ka kryevendi atje, qeveria. Ne mendojmë ashtu, ndoshta ka edhe probleme tjera... Nuk po e stimulojnë prodhimin vendor që me qenë çmimet më të ulëta, por po vijnë nga ku po vijnë pastaj tonat po shkojnë dëm, e nga jashtë po vijnë se është interesi i qeverisë në krye të vendit kush është atje”, tha Sylëmucaj.

Ai po ashtu tha se tregjet duhet të jenë në vende të mbuluara për shkak se kështu të ekspozuara në rrugë, mund të jenë të dëmshme për shëndetin tonë.

Edhe Ali Seferi, mendon se për çmimet kaç të larta, fajet i ka shteti. Ai thotë se tregjet nuk i plotësojnë aspak kushtet higjienike për shitje të produkteve.

Seferi: Tregjet nuk i plotësojnë standardet higjienike

“Ky vend për shembull ku t’i plotëson kushtet higjienike?, kerret këndej, pluhur këndej, ku t’iplotëson kushtet higjienike kjo?, kurrë një send higjienike këtu nuk ke. Veç çka është ajo e mbyllur, edhe mollën nëse e blenë duhet ta lash e ta qëroshpër ta ngrënë...faji është tek qeveria, tek shteti që nuk ia bën kushtet katundarit, se qepa, purrihu a nuk është marre të vijnë nga jashtë a. Limoni duhet të vijë se nuk prodhohet këtu, e këto tjerat prodhohen. Po sa është e interesuar qeveria këtu që ta kryej këtë punë po shihet ajo punë”, tha Seferi.

Ndërsa, Xhemajl Ramadani, mendon se çmimet janë të arsyeshme për shkak se të gjitha importohen e asnjëra nga to nuk është prodhim vendor. Edhe ky për këtë gjë, ia lë fajin Qeverisë.

Ramdani: Nuk ka prodhime vendore, fajet i ka qeveria

“ Kundrejt qysh nuk po prodhojmë, prej nga vijnë normal që janë më shtrenjtë, me qenë që prodhohen kryesisht këtu ka kushte ka krejt, por nuk prodhohen, nuk punojnë mjaftë... Qeveria i ka fajet se nuk i kushton kujdes aspak prodhuesit individual për të ia mundësuar kredinë e subvencionet, me këto qeveria do të kishte mundur shumë më tepër me kontribuar”, tha Ramadani.

Njëjtë si konsumatorët mendon edhe tregtari, Behram Berisha, i cili shet pemë dhe perime në tregun e Gjelbër në Prishtinë. Ai thotë për KosovaPress se çmimet në dallim nga vitet e kaluar janë shumë më të larta dhe kjo ka bërë që edhe të ketë rënje në shitje prej 40 deri në 50 %.

Berisha: Çmimet janë tepër të larta

“Ka shumë dallim të lartë, janë shumë shtrenjtë. Me standardin të cilin e kemi ne janë tepër të larta. Ka shumë dallim, përveç prodhimeve vendore sepse janë më të lira, ndërsa, këto që vijnë nga jashtë janë rreth 40 % më shtrenjtë... veç patatja, qepa, naj presh, përndryshe nuk ka shumë prodhime vendore. Ministria nuk po punon, njerëzit nuk po punojnë, nuk po ka sera, është sezona që nuk prodhohen”, tha Berisha.

Por Fitim Bajrami, i cili po ashtu është tregtar në këtë treg, thotë ndryshe. Sipas tij, nuk ka dallime të larta në çmime nga ato të viteve të kaluara.

Bajrami: Nuk ka dallime në çmime nga vitet e kaluara

“ Nuk është shumë çmimi i lartë në krahasim me vitet e tjera. Por duke i krahasuar standardin tonë jetësor deri diku është i lartë. Kjo është zakonisht për shkak se shumica nga këto importohen nga vendet e rajonit, kryesisht prej shtetit të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Serbisë... Në Kosovë prodhim vendor zakonisht në këtë kohë nuk ka, por edhe kur ka zakonisht dalin me çmime më të larta se të importimet”, tha Bajrami.

Por të gjitha këto ndryshime të çmimeve, sipas organizatës për të drejtat e konsumatorëve, ndodhin për shkak se nuk ka parametra për identifikimin e çmimit real dhe se nuk ka kategorizim sepse nuk ka as klasifikim të cilësive të produkteve që gjenden në tregjet tona.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat