Jahjaga premton angazhim për të zhdukurit

Kosova

Jahjaga premton angazhim për të zhdukurit

Më: 27 mars 2015 Në ora: 16:27

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti në takim një grup të përfaqësuesve të familjarëve të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, të cilët i paraqitën kërkesat për zbardhjen e fatit të familjarëve të tyre.

Përfaqësuesit e familjarëve të personave të zhdukur theksuan se institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare duhet të shtojnë përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur që prej 16 vjetësh, duke kërkuar angazhimin e drejtpërdrejt të Presidentes në bashkërendimin e të gjithë mekanizmave institucionalë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Ata theksuan se është një domosdoshmëri që së bashku me bashkësinë ndërkombëtare të kërkohet identifikimi dhe përcaktimi i të gjitha lokacioneve ose varrezave ku dyshohet të gjenden trupat e pajetë të qytetarëve të Kosovës. Ata kërkuan gjithashtu edhe amandamentimin e ligjit për personat e pagjetur dhe ndërtimin e një obelisku për të pagjeturit në qytetin e Prishtinës.

Përfaqësuesit e familjarëve të personave të zhdukur në bisedë me Presidenten Jahjaga theksuan edhe gjendjen e rënduar ekonomike të familjeve të personave të pagjetur dhe kërkuan përkrahje institucionale për to.

Presidentja Jahjaga tha se mos mbyllja e kësaj plage të rëndë të shoqërisë së Kosovës, që ka mbetur e hapur qe 16 vjet, po mban peng edhe procese të tjera të normalizimit të jetës në vend.

Presidentja Jahjaga theksoi se institucionet e Kosovës janë të angazhuara, së bashku edhe me faktorin ndërkombëtar, për zbardhjen e fatit të secilit qytetar, që është i zhdukur. Ajo tha se në çdo takim, qoftë brenda Kosovës dhe jashtë saj, me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare, çështjen e të zhdukurve e ka ngritur me qëllim të gjetjes së zgjidhjes.

Presidentja Jahjaga tha se përpjekjet për zbardhjen e fatit të të zhdukurve duhet të shtohen po aq sa edhe përpjekjet për të vënë në vend drejtësinë dhe i siguroi familjarët e personave të zhdukur për mbështetjen e plotë të saj për zbardhjen e fatit të familjarëve të tyre.

Jahjaga, që në fillim të mandatit të saj, në vitin 2011, e ka shtruar me kryeministrin dhe kryetarin e komunës së Prishtinës, idenë për ngritjen e një obelisku në kujtim të dëshmorëve dhe personave të pagjetur të luftës./kp/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat