Atentati ndaj Rugovës, ka qenë një ndër aktet më të rënda të krimit të organizuar

Kosova

Atentati ndaj Rugovës, ka qenë një ndër aktet më të rënda të krimit të organizuar

Nga: Diana Bunjaku Më: 27 mars 2015 Në ora: 11:01

Qeveria e re e Isa Mustafës duhet patjetër që t’i zbardh vrasjet proklitike, veçanërisht rastet ndaj atentateve kundër presidentit Rugova.

Adem Salihaj deputet nga radhët e LDK-së, njëri ndër ata, i cili i mbijetoi tentim atentatit, qe dyshohet se është kryer nga njerëzit e SHIK-ut, duke folur rreth atentati ndaj presidentit të shtetit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës, tha për “ Bota sot” se atentati ndaj Rugovës, ka qenë një ndër aktet më të rënda të krimit të organizuar.

Ai nuk beson se Qeveria e Kosovës, do ta zbardhë këtë akt të rëndë kriminal, pasi siç tha vet, në Kosovë nuk ka as prokurori e as gjyqësi të pavarur dhe të aftë për ta ndriçuar këtë rast, e as rastet tjera.

“Krimi në Kosovë nuk mund të luftohet me një sistem të tillë të drejtësisë, ngase në anën tjetër nuk shoh as vullnet politik, për ta ndriçuar as ketë rast, as rastet tjera të krimeve, dhe të krimit të organizuar”, ka thënë Salihaj.

Atentati ndaj Dr. Rugovës, ‘atentat’ edhe kundër vullnetit politik të qytetareve të Kosovës

Atentati ndaj ish presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, sipas profesor Riza Smakës, njohës i çështjeve juridike duhet domosdo të zbardhet dhe atentatorët e këtij akti kriminal, duhet të dalin para drejtësisë.

Smaka ka thënë për “ Bota sot” se Dr. Rugova ishte intelektual dhe lider politik e shtetëror i veçantë, dhe virtualisht i papërsëritshëm.

“ Dr. Ibrahim Rugova ka qenë, dhe do të mbetët tepër i rëndësishëm për historinë politike të Kosovës. Atentati kundër Dr. Rugovës njëherë ishte edhe atentat kundër vullnetit politik, i të gjithë qytetarëve të Kosovës , kundër aspiratave sublime për lirinë dhe prosperitetin demokratik te Kosovës”, thotë profesor Smaka.

Sipas tij, së andejmi Qeveria e Republikës së Kosovës, pashmangshëm do të duhej të inicionte procesin politik në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit.

“ Kjo Qeveri duhet patjetër që të procedojë edhe veprimet juridike të nevojshme për zbardhjen e atentatorit apo të atentatorëve, rreth motivet, financimin e rrethanat konkrete të atij aktit kriminal”, thotë Smaka.

Ai është i sigurte se qytetarët e Kosovës, do të mbështesin nismën në fjalë (rreth zbardhjes së atentatit ndaj Rugovës) ku padyshim, sipas tij zbardhjet rreth këtyre rasteve është dashur të bëhen qysh kohë më parë.

“ Më duhet patjetër të citojë një thënie nga A Fortiori: ‘Atentati kundër cilit do person, do të duhej të hetohej, e të procedohej sa më parë sipas ligjit, madje pashmangshëm në rastin konkret’, thotë Smaka

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat