Ligji kundër pjesëmarrjes në luftëra të huaja konform Rezolutës së KS të OKB-së

Kosova

Ligji kundër pjesëmarrjes në luftëra të huaja konform Rezolutës së KS të OKB-së

Më: 27 mars 2015 Në ora: 10:14

Dekretimi i Ligjit në Kosovë për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit, është një jetësim i rezolutës të miratuar nga Këshilli i Sigurimit në shtator.

Me anë të kësaj rezolute vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara obligohen t’ua ndalojnë qytetarëve të tyre të mbështesin organizatat radikale dhe grupin e Shtetit Islamik.

Rezoluta, e sponsorizuar nga SHBA, që u miratua me 15 vota për dhe asnjë kundër kërkon që shtetet të cilësojnë të paligjshme dhe krim shkuarjen e qytetarëve të tyre me qëllim të bashkimit në lëvizjet e dhunshme ekstremiste apo rekrutimin e luftëtarëve për këtë qëllim, raporton RTK.

Shtetet e Bashkuara edhe deri tani kanë e vlerësuar partneritetin me Kosovën në luftën globale kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, në shkurt pati vlerësuar se ‘Kosova ka treguar një angazhim të fortë për të ndihmuar koalicionin e gjerë ndërkombëtar’ në këtë luftë.

Krahas shumë vendeve të tjera, edhe SHBA kanë nisur një program të parandalimit të bashkëngjitjes së shtetasve amerikanë grupeve terroriste në radhët e Shtetit Islamik të Irakut dhe Sirisë, i përqendruar kryesisht në disa qytete amerikane që kanë përqindje të të rinjve me përkatësi myslimane.

Burimet amerikane të zbulimit përfshi edhe ato të ushtrisë kanë dhënë shifrat se mbi njëqind shtetas amerikanë luftojnë në radhët e grupeve ekstremiste në Lindjen e Mesme.

Autoritetet amerikane po ashtu kanë shpeshtuar kontaktet me xhamitë për të dekurajuar gjuhën nxitëse nga imamët, roli i të cilëve edhe këtu është konsideruar të ketë mbështetur pelegrinazhet xhihadiste.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat